Shqetësim te Kukësi, dëmtohet Rauf Alijev

Sulmuesi azer ka probleme në kavilje dhe është në dyshim për ndeshjen me Skënderbeun, mungon dhe malazezi Kërkotiç

Jurgen Zela

Duhet dhe një fitore tjetër që te Kukësi të rikthehet normaliteti. Edhe pse është gjetur qetësia e përkohshme pas asaj fitore të vuajtur në Laç, tani mendja është te ndeshjet e radhës. Takimi i radhës është ndeshja me Erzenin në Kupë, por kampionati rezervon një përballje zjarri. Në Korçë do të luhet një pjesë e titullit, në përballjen e javës së 13-të. Korçarët u ndalën me Partizanin dhe tashmë diferenca me Kukësin është vetëm 6 pikë. Një fitore e kuksianëve në Korçë do e bënte kampionatin shumë intrigues, me luftën për titull që do të ishte e hapur. Gjithsesi, si fillim duhet menduar për Kupën, pavarësisht se mendja është te kampionati.
ALIJEV
Investimi më i madh i Kukësit në merkaton e verës ishte Rauf Alijev. Gjithnjë e më shumë flitet se bashkëpunimi i tij me kampionët është drejt fundit, diçka që dhe vetë azeri e ka konfirmuar në mediat e vendit të tij. Deri në merkaton e janarit duhet ende një muaj dhe kampionati është në një fazë delikate. Sulmuesi shtatlartë u rikthye titullar në ndeshjen kundër Laçit, megjithatë sërish nuk arriti që të gjente rrugën e rrjetës. Ndërkaq, 28-vjeçari ka munguar në stërvitjen e djeshme. Siç bëhet me dije, Alijev ka shfaqur shqetësime në kaviljen e këmbës së djathtë. Stafi mjekësor ka konstatuar se nuk bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë, megjithatë sërish është në pikëpyetje për ndeshjen me Skënderbeun. Sulmuesi po kryen terapi intensive dhe stafi mjekësor po bën gjithçka që ta riaftësojë në kohë për ndeshjen me korçarët. Një tjetër mungesë në seancën e djeshme ka qenë ajo e Milosh Kërkotiç. Mesfushori ka udhëtuar drejt Malit të Zi, për një arsye familjare, por pritet që të bashkohet pas dy ditësh me skuadrën.
SKEMA
Pas ndeshjes me Laçin, Milinkoviç e pranoi se për të kanë rëndësi pikët dhe aspak mënyra e lojës apo se si do të vijë fitorja. Ajo që ra në sy ishte rikthimi me skemën e vjetër, me Alijevin në majë të sulmit dhe Gurin që spostohej në krah. Një skemë që i ka dhënë sukses dhe më parë teknikut serb, pasi me të njëjtën skemë korri disa rezultate pozitive radhazi në javët e para të kampionati. Tashmë duket se do të vazhdojë me të njëjtën skemë. Në Korçë duhet me çdo kusht fitorja, ndaj dhe stafi teknik shpreson që të ketë të gjithë organikën në dispozicion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *