Shqetësim për Nabuezen, Cungu: Lojtarët e mi ishin të trembur nga tërmeti, por kjo është jeta

Laçi do të luajë ndaj Flamurtarit në ndeshjen e radhës të Superiores. Por ashtu si edhe Shkëmbi, trajneri Cungu ka edhe një detyrë të vështirë për anën psikologjike të lojtarëve, për t’i mbajtur ata në gjendje optimale.

Kjo pasi tërmetet e rëna në Shqipëri, janë ndjerë tmerrësisht shumë edhe në Laç. Mbi këtë problematikë, Cungu ka folur me futbollistët, për t’i treguar në një farë mënyre se kjo është jeta në thelb. Mes fjalëve të dhëna nga “Supersport”, tekniku i kurbinasve shprehet edhe për shqetësimin e Nabuezes me gjendjen gripale, megjithëse pritet të jetë gati.

“Jemi gati për Flamurtarin dhe kemi të gatshëm edhe Fangajn i cili rikthehet pas pezullimit. Në fushë do të zbresim për të marrë më të mirën. Nëabueze ka shfaqur problem me gripin, por nesër bashkohet me grupin dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së dielës.

Futbollistët e mi ishin të trembur dhe të frikësuar nga ajo që ndodhi. Unë u mundova që t’i bëj ata të kuptojnë se e tillë është jeta dhe ajo vazhdon. Duhet të jemi gati për gjithçka. Shpresoj që të rregullohet gjithçka dhe në qytetet të nisin aktivitetin ashtu siç po rinis futbolli”, tha Cungu. /Sport Ekspres/