Shpresat shpërdorojnë, debutim i pafat!

Dominim absolut deri në minutën e 95-të. Plot 7 raste të pastra për gol, me Abazajn, Mustafën dhe Baren protagonist. Zeka merr të kuq rekord, ndërsa publiku duartroket në fund

“Dua të shoh një skuadër që luan futboll dhe kjo më intereson, pasi rezultati do edhe fat…”. Alban Bushi, trajneri i Shpresave, në debutimin zyrtar si trajner i kombëtares kuqezi në kualifikueset e Europianit 2017 të moshave, e dinte se ndoshta do të duhej kohë që lojtarët të lidhen me njëri-tjetrin, por sfida e mbyllur në barazim 0-0 ndaj Estonisë në “Elbasan Arena” ishte padiskutim e pafat për kuqezinjtë, që kanë dominuar totalisht kundërshtarët, që nuk prodhuan as edhe një rast të rrezikshëm. Ndërsa, për kuqezinjtë e Bushit ishte një ndeshje e dominuar nga sekonda e parë deri në fund, madje më një rast final për të vënë duart mbi kokë.

Pikërisht kapiteni Kejdi Bare, talenti i Atletiko Madridit, ka pasur shansin për t’i dhënë fitoren ekipit kuqezi, por në mënyrë të pabesueshme ka shpërdoruar përpara portës kundërshtare, me të djathtën, teksa Bushi s’i ka besuar syve. Madje, ajo që ia vlen të nënvizohet është se Shpresat edhe pse mbetën me dhjetë në minutën e 67-të, pas daljes me të kuq të Agim Zekës, që ishte futur në fushë vetëm prej disa minutash. Një faull me dashje me takat mbi pulpën e kundërshtarit. Por, raste të tjera ka pasur Kristal Abazaj, që ka qenë i pafat përpara portierit kundërshtar. Në fakt, ndeshja u mbyll me plot 9 goditje në portën e Estonisë dhe plot 8 në kuadrat, ndërsa kanë qenë plot 19 faulla nga skuadra mike.

Një pikë që nuk mund të kënaqë Bushin & Co, për ndeshjen që zhvilluan, kur e mbajtën këmbën te gazi deri në minutën e 95-të.

0              0

Shqipëri-Estoni

E hënë, 12 qershor 2017, ora 20:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, Elbasan

Shqipëria U-21: Selmani; Doka, Ceka, Tafa, Toli, Ramadani, Seferi, Bare, Mustafa (Zeka 64′), Abazaj (Çekiçi 86′), Kallaku (Hebaj 46′). Tr.: Bushi

Estonia U-21: Igonen; Luka, Lilander, Ainsalu, Slein, Sapinen, Livak (Klein 84′), Magi, Kusk, Riberg (Vainumae 61′), Siniavski (Miller 54′). Tr.: Volaid.

Gjyqtar: Eskas (Norvegji)

Kartona të verdhë: Ramadani, Bare, Kusk

Karton i kuq: Zeka 67′

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *