Shpresat e Tiranës shtohen për Arlind Ajetin, nuk e mendojnë më tepër se 24 orë në Seria B

Arlind Ajeti është dëshira e madhe e tifozëve të Tiranës. Shanset ekzistojnë për ta mbyllur këtë marrëveshje, pavarësisht se lojtari po e mban këtë zgjedhje si të fundit. Pikërisht për këtë arsye nuk kemi një tjetër hap më tepër në këto ditë, pasi mbrojtësi i Kombëtares kërkon një ofertë për të luajtur në elitat e Europës.

Por ky objektiv duket shumë i vështirë për t’u arritur. Pavarësisht atij shkëlqimi të madh në Europianin e 2016 me Shqipërinë, ngritja e karrierës nuk do të zgjaste shumë për Arlind Ajetin. Në sezonin e fundit iu bashkua Grashopërs, me këtë të fundit që ra nga elita e futbollit mes turpit dhe bojkotimeve të tifozëve.

Menjëherë klubi zgjodhi të largonte Ajetin dhe prej asaj kohe është pa ekip. Së fundmi emri i tij ka dalë te Perugia, pasi këta të fundit që luajnë në Seria B dhe po kërkojnë ngjitjen në elitën e futbollit italian, kanë probleme me prapavijën. Por pa kaluar 24 orë nga dalja e emrit në media, menjëherë ka ardhur edhe përgënjeshtrimi se Perugia nuk është e interesuar për të firmosur me Ajetin. Në këto kushte është Tirana që pret me shpresën se mbrojtësi në fjalë do të mbyllë marrëveshjen me ta. /Sport Ekspres/