Shpëtoni ushtarin Sadiku! (do t’ia dalë, edhe këtë herë)

Anton Cicani

19 qershor 2016… Francë! Jemi të gjithë duke pritur një gol, një fitore, një festim, për ta mbyllur në mënyrën më të mirë Europianin tonë të parë në histori… Dhe, ai gol vjen, ai gëzim vjen, ajo festë e papërmbajtshme që ngre peshë Shqipërinë dhe të gjitha vendet ku jetojnë e punojnë shqiptarë…

Ishte një mbrëmje e paharrueshme kur Armando Sadiku, në minutën e 43-të, pas krosimit të Memush

ajt, do ta dërgonte topin mbi portierin Tatarushanu duke shënuar golin e fitores ndaj Rumanisë. Duart drejtuar qiellit dhe një vrapim i çmendur, teksa e gjithë skuadra e ndiqte, ashtu sikurse edhe stafi teknik…

Ishte pika më e lartë e karrierës për sulmuesin, që sot e sheh veten në pikën më të vështirë, pas operacionit që do ta lërë jashtë fushave të blerta për gjashtë muaj. E megjithatë, për një luftëtar si ai, edhe kjo provë do të kalohet. Një miqësore e mallkuar, ndaj Herenvenit, i solli këtë pengesë, edhe atij që e konsideron veten “Ferrari”, por që me siguri ende nuk ka treguar atë potencial që shpesh kemi parë, edhe ndaj Izraelit në ndeshjet e grupit eliminator për kualifikimin në Rusi 2018.

Peripeci pa fund, që në momentin e transferimit te Legia e Varshavës, edhe pse gjithçka nisi me gola në të gjitha kompeticionet, pra kampionat, kupë dhe Champions League. Duhet të ishte sezoni i ringritjes së madhe, por në Poloni nuk besuan dhe i dhanë duart.

Aventura spanjolle te Levante mund të ishte një tjetër shans, por edhe këtë herë, për Sadikun gjithçka nisi me malore.

Vetëm gjashtë ndeshje në kampionat dhe asnjë gol. Shpesh rezervë, shpesh i dëmtuar, shpesh në tribunë. Asgjë nuk ka shkuar mirë.

E të mendosh që kur braktisi “oazin” e tij ose “shtëpinë”, pra Zvicrën, Sadiku mendonte të hidhte hapin e madh. Atë hap që sot e ka lënë ende pa hedhur dhe i duhet të ngjitet sërish nga shkallët.

Po e ardhmja? Sigurisht, pas gjashtë muajsh, kur të kthehet, Levante do të ketë gjetur kuadraturën e saj dhe nuk do të ketë më nevojë, teksa Sadiku do të jetë sërish në merkato, ndoshta që në janar. Por, a do të besojë dikush?! Ndoshta, sërish në Zvicër, aty ku rilindja është më e thjeshtë… Edhe si huazim, pse jo.

Në anën tjetër, Panuçi vendos duart në kokë, sepse përpos të gjithave, Sadiku është bomberi i kombëtares dhe mungesa e tij sjell dhimbje koke për trajnerin italian, që tashmë duhet të gjejë një zëvendësues. Cikalleshi shihet si ideali, edhe pse Balaj mund të rritet gjatë kësaj kohe, pasi edhe ai ka kaluar probleme pa fund.

Kjo bën që Panuçi të shkonte në Belgjikë të ndiqte Gurin, pasi shumë shpejt mund të jetë ai titullari.

Po Sadiku? Armando do t’ia hedhë, edhe këtë herë, sepse për një luftëtar, dorëzimi është një utopi…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *