Shpëtim Gjika flet me ironi për Idrizin: Po dal për ta acaruar pak, po tani do vijnë ata lojtarët e Milanit…

Shpëtim Gjika ka folur për situatën e vështirë që ndodhet ekipi i Flamurtarit. Atje nuk kanë munguar ironitë me administratorin Sinan Idrizi, që u shpreh se dy ish-lojtarë të Milanit do të vijnë në Vlorë në merkaton e dimrit. I pranishëm me lidhje telefonike në “Zona Gol”, Gjika nuk është përmbajtur aspak dhe ka folur në mënyrë të drejtpërdrejtë:

“Kriza e Flamurtarit mund të zgjidhet me diskutim, me dakortësim. Mjaftonte vetëm që presidenti i klubit, domethënë administratori i klubit, se presidenti nuk mund të quhet ai, të ulej me përfaqësuesit e Bashkisë dhe të gjenin zgjidhje. Por asnjë nga ata nuk ul hundën. Jam jashtë klubit dhe nuk mund të flas më konkretisht. Borxhi është shumë i madh dhe akumulohet nga viti në vit, po shtohet se tepërmi. Duhet që të shpëtohet nëse ka një fije shprese. Nuk ka gjë nëse bie nga Superiorja, pasi ka rënë Tirana dhe Vllaznia. Por kjo e Flamurtarit që ka problem me lojtarët, që rrezikon të federohet, është kapitullim. Kjo është situatë e vështirë, po tani vijnë ata lojtarët e Milanit…

Unë kam dalë këtu për të acaruar pak Dritan Leli dhe Sinan Idrizin, edhe në kuptimin pozitiv. Ata acarohen kur flas unë, nuk e di pse, kanë thënë se bëjnë gjëra të mëdha së bashku. Duhet të japin një zgjidhje. Kjo stema e re e Flamurtarit njëherë më duket si zhabë”, ka thënë Shpëtim Gjika. /Sport Ekspres/