Shpërthimi i Filit, gabon lojtari apo Partizani?

Akoma pa u shuar flaka dhe tymi i sherrit mes Lorenc Trashit dhe trajnerit Sulejman Starova, Partizani mori një goditje tjetër të madhe. Numri një i stolit u përfshi në një tjetër sherr, këtë radhë me sulmuesin Realdo Filin. Lojtari pësoi një zhgënjim të madh pas stërvitjes së djeshme, pasi mësoi se ishte jashtë planeve të skuadrës, ndërsa acarimin e tij e shfryu te trajneri Sulejman Starova. Burime të sigurta të “Sport Ekspres” bëjnë me dije se situata në kompleksin sportiv në Kamzë ka qenë mjaft e nderë dhe fyerjet mes Filit dhe Starovës kanë kaluar në nivel shumë të ulët. Situata mund të kishte degraduar edhe më keq, nëse të pranishmit nuk do të ndërhynin për të qetësuar sado pak gjakrat. E gjithë historia nisi nga Drejtori Sportiv, Antonelo Preiti.

FAJI I FILIT? – Fili nuk e priste që të merrte goditjen e madhe pas mbarimit të seancës stërvitore. Sulmuesit 21-vjeçar iu komunikua nga Drejtori Sportiv, Antonelo Preiti, se ishte jashtë planeve të Partizanit. Italiani e thirri veçmas pas seancës stërvitore dhe i bëri me dije vendimin e fundit të klubit të kuq, drejtuesve dhe stafit teknik. Ky ishte një vendim i papritur për Filin, i cili e nisi rifillimin e kampionatit si titullar. Ai luajti nga minuta e parë në ndeshjen ndaj Flamurtarit dhe pak ditë para mbylljes së merkatos, nuk e priste të dilte në rrugë të madhe. Nervozizmi i tij ishte i tepruar dhe duhej ta kontrollonte veten, por a mund t’i vihet vetëm atij faji, duke qenë se ka dy vite që trajtohet si talent, por që ka luajtur vetëm 13 ndeshje në Superiore nga minuta e parë, në një kohë që klubi nuk ka pranuar as ta shesë apo ta huazojë. Dhe është vetëm 21 vjeç, ka pasur edhe oferta sidomos në verën e vitit 2016, kur Partizani shkëlqeu në Europë!

FAJI I PARTIZANIT? – Vendimi i klubit nuk i ka pëlqyer Realdo Filit, i cili ka drejtuar direkt “shigjetat” te trajneri Sulejman Starova. Fieraku ka akuzuar drejtpërdrejt 62-vjeçarin se e ka larguar nga skuadra. Ofendime e sharje, edhe prekje me duar, deri te vënie duarsh në fyt sipas dëshmitarëve të pranishëm, dhe këtu Fili ka gabuar rëndë. Megjithatë, nga ana tjetër nuk mund të thuhen dy fjalë për Partizanin. Përzuri 3 titullarë pa asnjë paralajmërim në fillim të muajit, kur ata po bënin gati valixhet në Turqi. Do të ishte shumë më e ndershme nëse pas ndeshjes së fundit të vitit 2017 t’u thuhej: “Djema, kaq ishte. Nuk jeni më në planet tona, shihni e gjeni ndonjë ekip të ri, ose vazhdoni te Partizani B”. Sikur të mos mjaftonte kjo dhe gjithë kritikat që pasuan, Partizani tani i bën dalje Filit, pak ditë para mbylljes së merkatos, duke e hedhur në fushë nga fillimi në Vlorë. Tani që erdhi Abdurahimi, duket si ajo historia “kalova lumin”, por ndërkohë klubi pranon një dështim, sepse Filin e mori si një investim madhor për të ardhmen. Drejtori Olsi Rama tha se në të ardhmen Partizani do të punojë shumë me të rinjtë, për t’i rritur e shitur: Po Fili, nuk plotësonte kriteret?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *