Shpërthen Ranieri: Në fushë ishte vetëm Spali, pa Champions largohen shumë lojtarë!

Roma ka pësuar një humbje të rëndë ndaj Spalit dhe gara për vendin e katërt është ndërlikuar jashtëzakonisht, sepse koha nuk mjafton për të punuar qetësisht dhe për të kompensuar gabimet më vonë.

Trajneri Klaudio Ranieri ka provuar shijen e humbjes në ndeshjen e dytë në drejtim te Roma dhe pas ndeshjes shpërtheu në akuza: “Luajtëm kundër një skuadre, ndërsa ne nuk ishim skuadër. Treguam vetëm dëshirë, pa asnjë organizim, kjo është e pafalshme. Humbëm çdo duel, kështu nuk shkon. Spali luajti me thikë ndër dhëmbë, me të drejtë, ashtu do bëja edhe unë po të isha në vend të tyre, mbrojtje dhe vonesa loje në çdo moment”.

Më pas Ranieri vazhdon kritikat ndaj lojtarëve: “Duelet e humbura? Disa lojtarë nuk janë luftarakë, disa nuk kanë besim fare dhe nuk futen me siguri në duele. Spali ishte më i vendosur. Problem psikologjik? Me siguri ai është një ndër problemet, por duhet përmirësim në çdo drejtim, sepse sot taktikisht ishim shumë keq dhe vrapuam kot”.

Në fund, Ranieri paralajmëron të gjithë, natyrisht duke nisur nga vetja: “Nëse shkojmë në Champions League, ekziston një program, përndryshe shumë prej nesh largohen. Ua kam thënë edhe lojtarëve. Duhet të tregojnë që e meritojnë të luajnë te Roma dhe e meritojnë pagën që marrin. Nuk i di planet e klubit, por pa Champions është e qartë që klubi humbet miliona”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *