Shpërthen Nica: Superiorja shqiptare është amatore!

Pas ndeshjes me Kastriotin, ku Laçi barazoi 1-1, trajneri Nica u shpreh i pakënaqur mbi gjendjen e ekipit të tij, teksa vuri në dukje problematika të shumta që shoqërojnë futbollin tonë.

“Rëndësi ka që këto ndeshje i shërbejnë stërvitjeve, u bënë gjashtë javë që i kemi nisur përgatitjet, që i kemi nisur herët. Normalisht në bazë të përvojës që kam, edhe lojtarët aktualë bëjnë një periudhë pushimi absolut, vijnë me vonesë 2-3 javë ato që janë titullarë dhe duhet kohë të bëhen gati. Kemi probleme fizike, pasi të hysh në një fazë duhet të jesh në gjendje ta nisësh gradualisht dhe ta rrisësh. Te ne çuditërisht ndodh ndryshe. Lojtarët vijnë vonë, vijnë nga pushime absolute dhe kjo tregon që me mentalitet janë amatorë, pra janë shumë të vegjël në mendimin për futbollin dhe ky është një problem shumë i madh për futbollin shqiptar. Këtë problem e kanë edhe klubet e tjera. Edhe lojtarët e rinj shoh që kanë probleme të mbartura nga moshat. Shpresoj te Bushi, që ka dhuntitë e veta, por ka probleme që gradualisht do eliminohen. Të rinjtë janë me pikatore, ka qytete që nuk kanë fare, ndaj edhe hidhen sytë nga menaxherët për të sjellë lojtarë. Presim edhe ne tre lojtarë për të ardhur këtu, që kanë probleme me vizat e gjëra të tjera.

“E përgjithshmja është se jemi dobët, ndaj i thashë gjithë këto, që Superiorja hyn te ligat amatore, sepse kështu janë në mendime. Shoh që edhe presidenti është shumë i zhgënjyer, gjithashtu edhe unë. Lojtarët më figurojnë diletantë në testet që kam bërë. Këtu te ne nuk para i thonë këto gjëra, por unë i them”, deklaroi tekniku Nica, që më pas foli edhe për largimin e kapitenit Vucaj dhe afrimet ne merkato.

“Vucaj u largua për arsye disiplinore, ndërsa sa i takon merkatos, janë tre lojtarë për të ardhur. Presim dy lojtarë nga Brazili, por ka një sërë pengesash, biletat, vizat, ndaj ne po i presim”, përfundoi trajneri durrsak i Laçit, që pret të mbërrijë në skuadër sulmuesi Rexhinaldo dhe mbrojtësi Ademir Soza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *