Shpërthen Kristiano: Unë shënova, të tjerët çfarë bënë?

0

Humbja në “Mestalla” përballë Valencias 1-2 ka krijuar jo pak probleme në Madrid. Tek Reali e kanë të qartë se kanë humbur një shans të artë për të shkuar në +4, teksa skuadra e Zidanit do të duhet të rikuperojë dhe një ndeshje tjetër të prapambetur, atë kundër Celta Vigos në “Balaidos”. Përtej shpërdorimit të një shansi për t’u “arratisur”, duket se në ekip ka pasur një krisje, ku protagonisti kryesor mbetet Kristiano Ronaldo. Ylli i Realit të Madridit ka lënë gjithë nerva fushën në Valencia dhe në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes ka shfryrë kundër njërit prej shokëve të ekipit. Si duket humbja në Valencia ka qenë si një “rrufe në qiell të hapur” për Realin e Madridit. Ajo që dukej e pabesueshme para ndeshjes ka ngjarë vërtet dhe Ronaldo ka qenë një nga ata që e ka përjetuar më keq disfatën. Kamerat e televizionit “Deportes Cuatro” që ka transmetuar takimin në “mestalla” ka lexuar buzët e Kristianos, i cili ka pasur diçka për të thënë. E qartë është se portugezi ka shfryrë ndaj dikujt prej shokëve të ekipit, por emri mbetet një enigmë. Menjëherë në fund të takimit në Valencia, kamerat e televizionit spanjoll kanë “gjurmuar” Kristianon, i cili shihet t’i drejtohet dikujt nga ekipi me fjalët: “Unë shënova, por ti çfarë bëre?” Incidenti ka ndodhur kur ekipet po i drejtoheshin dhomave të zhveshjes, teksa kamerat nuk kanë mundur të kapin “marrësin” e mesazhit aspak miqësor të Ronaldos.

Ndryshimi – E të mendosh që Ronaldo e ka nisur takimin në humor mjaft të mirë. ai është fokusuar duke bërë shaka me mbrojtësin brazilian Marselo. Por buzëqeshja e Ronaldos u harrua shumë shpejt prej tij, teksa në minutën e katërt Valencia shënoi golin e parë. Ronaldo nuk ngurroi t’i bënte thirrje ekipit për reagimim. Pesë minuta më pas Valencia shënoi edhe golin e dytë dhe Ronaldos nuk i mbetej veçse të tunde kokën në shenjë dëshpërimi. Ishte vetë ai që ktheu Realin në lojë me golin një minutë nga fundi i pjesës së parë, por që rezultoi i pavlerë, pasi Reali u mund 1-2, duke humbur një shans të artë për të shkuar në +4 nga Barcelona.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here