Shpërthen Kotorri: Tani u kujtuat për Elbasanin?

0

Elbasani ka rënë në Kategorinë e Dytë, pas humbjes ndaj Sopotit në Tiranë, një disfatë e turpshme, për një qytet të madh, që deri para një dekade luftonte dhe fitonte titullin në Superiore.

Rrënimi ka qenë i pandalshëm në vitet e fundit dhe zbritja në divizionin e tretë, një njollë e madhe për gjithë Elbasanin, ka ngjallur debate të shumta dhe ish-futbollistë, trajnerë e gazetarë kanë shprehur keqardhjen dhe revoltën për atë që ndodhi.

Megjithatë, portieri veteran Elvis Kotorri nuk i ka pëlqyer gjithë këto deklarata mbushur me keqardhje, duke i cilësuar si “kofini pas të vjelit”.

Me një postim të shkurtër në profilin e tij në Facebook, portieri i njohur shpërthen: “Shoh shumë njerëz që tani thonë çfarë të duan, sikur mezi e paskan pritur këtë ditë. Po ku ishit ju, o futbollistë, që ju djeg zemra për Elbasanin, të vinit e të luanit këtu e ta shpëtonit mos binte kaq poshtë, të luanit për këtë fanellë? Asnjë s’e bën.

Sigurisht që është turp që Elbasani ra kaq poshtë dhe mua më dhemb shumë, por kjo gjendje ka afro 10 vjet që është kështu dhe do vinte kjo ditë që do kishim një ekip që s’do shpëtonte dot me ndihmën e askujt. Edhe ju tifozë, megjithëse jeni pjesa më e pafajshme e gjithë kësaj gjendjeje mund të bënit diçka më shumë.

Uroj me gjithë shpirt që Elbasani të rikthehet sa më shpejt në elitën e futbollit shqiptar se atje i takon”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here