Shpërthen Erkand Qerimaj: Na kërkojnë medalje, por stërvitemi në një nevojtore!

0

Në fund të vitit të shkuar në Shkodër u shpallën “10 sportistët më të mirë të vitit 2016” të Sportklub Vllaznia, në një ceremoni zhvilluar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Shkodër. Në bazë të një ankete të organizuar me trajnerë dhe specialistë të të gjitha sporteve, u përzgjodhën më të mirët. Kështu, fitues në anketë ishin Izmir Smajlaj në atletikë, Herion Faslija në basketboll, Qamil Bajrami në mundje, Nelson Hysa në boks, Juli Marku në xhudo, Oneda Reçi në gjimnastikë, Megi Doçi në futboll për femra, Bruno Kola në çiklizëm dhe Anton Qafarena e Klavia Petëza në volejboll. Ndërkaq, në listë nuk ishte Erkand Qerimaj, sportisti më i famshëm i Shkodrës dhe fitues medaljesh pa fund, në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare. Kjo ka zhgënjyer pa masë peshëngritësin e njohur, i cili ka pritur gjatë, por tashmë ka shpërthyer, duke marrë shkak edhe nga një dalje televizive e shefit të klubit shumësportësh Vllaznia, Mark Kroqi, i cili në një emision dje kërkonte rezultate nga sportistët e peshëngritjes në Shkodër. Me një status në Facebook ai ka akuzuar rëndë shefin e klubit: “Një Skandal, zoti Mark Kroqi! Ju kam sjellë Kupën e sportistit më të mire nga Kupa e Republikës për vitin 2016! Ju nuk më futni në 10 Sportistët më të mirë të Shkodrës, për të qeshur edhe gomari me ju!! Si e shpjegoni ju këtë skandal? Kur ekipi i peshëngritjes nuk ka palestër e ju keni caktuar nevojtore tek pallati i sportit si vend për stërvitjen tonë, kërkoni edhe rezultate. Turp për ju! I bëj thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit të vijë e të kontrollojë fondet e Klubit Vllaznia. Jam detyruar të bëj një ambient palestër në shtëpi me fondet e mia. Kam Mbi 40 medalje ndërkombëtare evropiane e botërore , rekorde evropiane, botërore e mesdhetare që nga viti 2002. Do dal edhe në media të sqaroj për më shumë, Mark!”.

I kontaktuar nga “Sport Ekspres”, në lidhje me këtë çështje, Qerimaj nuk tërhiqet dhe shton akuzat: “Palestra e klubit është në banjat e pallatit të sportit. Është skandaloze, ekipi i peshëngritjes po shkrihet, sepse nuk ka palestër, nuk ka ku të stërvitet, si të rinjtë, ashtu edhe të rriturit. Vendi i caktuar për stërvitje është një hale dhe gjithë sportistët po largohen, sepse nuk ka dëshirë asnjë sportist të stërvitet në hale. A mban përgjegjësi shefi i klubit për shkrirjen e një ekipi kampion për disa vite? Si ka fytyrë e kërkon rezultate Kroqi, kur ekipi stërvitet në mut, në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse edhe banjat bllokohen shpesh. Unë jam detyruar të krijoj ambiente në shtëpinë time, për t’u stërvitur”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here