“Shpërthen” Bushi: Shpresat s’duhen snobuar!

0

Trajneri i U-21, mesazh lojtarëve: “Kam një listë prej 70 që po monitoroj dhe kam krijuar idetë e mia. Ata që ftohen, nëse duan të vijnë të japin maksimumin, mirë, ndryshe le të refuzojnë. Në sulm? Më pëlqen të mbrohem”

Anton Cicani

Ishim mësuar prej më shumë se katër vjetësh që të qëndronte krahas Xhani de Biazi në sallën e konferencës, por Alban Bushi është “divorcuar” nga figura e trajnerit kuqezi të kombëtares A, duke marrë detyrën e vështirë për të zhvilluar dhe ngritur ekipin Shpresa, që jo vetëm do të synojë të shkruajë faqe të bukura të historisë, siç bënë djemtë kuqezi në Europianin e Francës, por të shërbejë edhe si një “furnizim” për skuadrën e madhe. Në prag të dy miqësoreve ndaj Moldavisë, Alban Bushi ka zbuluar dje listën e futbollistëve të grumbulluar për këto dy “teste”, siç i quan ai, ndërsa përpara se gazetarët të nisnin nga pyetjet, bëri këtë parantezë: “Nuk do të jetë një ndeshje miqësore, por edhe testuese, për lojtarët që janë grumbulluar aktualisht. Kjo s’do të thotë që këta futbollistë që janë ftuar do të jenë pjesë e ekipit kombëtares Shpresa për ndeshjet eliminatore, por nuk do të thotë që as ata që nuk janë pjesë e kësaj liste, janë të përjashtuar nga ndeshja e qershorit ndaj Estonisë. Kështu pra që nuk do të kemi një grup stabël. Jam i mendimit që ekipi kombëtar ka nevojë për alternativa dhe ne jemi munduar të bëjmë një listë prej 70 lojtarësh që t’i kemi gjithmonë në dispozicion”.

Në lidhje me grumbullimet, në listë janë të përfshirë gjashtë lojtarët të kampionatit shqiptar, diçka ndryshe në krahasim me vitet e shkuara, kur fokusi kanë qenë kampionatet e huaja. Ka pasur më shumë vëmendje në futbollin vendas, çfarë ka ndodhur?

Mendoj që lojtarë në kampionatin shqiptar ka shumë dhe ka edhe nga ata që nuk janë grumbulluar sepse kam krijuar një opinion se janë  në gjendje të luajnë për ekipin U-21 dhe po bëjnë shumë mirë me skuadrat e tyre. Gjithashtu, mund të jenë pjesë e skuadrës ndaj Estonisë, më 12 qershor, nëse vazhdojnë kështu. Madje, mund të jenë edhe pjesë e formacionit. Ka edhe nga ata që kam marrë sepse dua të krijoj një opinionin tim.

Në krahasim me grumbullimet e para, kur more drejtimin, mungojnë shumë lojtarë. Mos ndoshta nuk kanë përligjur besimin tuaj, apo thjesht lojtarët aktualë janë  më të mirë, ndoshta në kuadër edhe të kombëtares së madhe?

Janë thuajse vetëm 6 lojtarë nga grumbullimi i parë. Siç thashë, kemi një listë me shumë lojtarë. Edhe ata që s’janë, mund të jenë pjesë. Sepse kam krijuar një ide. Kemi dy ndeshje miqësore për të testuar të tjerë, nëse janë në gjendje ose jo për të luajtur.

Me praninë e ftesës nga Taulant Seferi, duket se keni fituar një bast personal, pasi Maqedonia i ka bërë ftesë dhe trajneri i tyre, madje, në konferencë tha se priste ende një përgjigje…

Nuk mendoj se flitet për bast personal ose jo. Ne kemi menduar që çdo lojtari të mirë shqiptar t’i bëjmë ftesën. Pastaj, nëse ai zgjedh Maqedoninë apo Shqipërinë, është vendimi i tij.  Ne na bëhet qejfi që është pjesë e jona, sepse është shumë premtues. Uroj të vazhdojë në këto nivele sepse shumë shpejt mund të jetë pjesë e ekipit A.

A është gati Kristal Abazaj, talenti i Luftëtarit, duke parë sezonin që po zhvillon, për të qenë pjesë e formacionit bazë?

Deri sa je pjesë e ekipit kombëtar, je pjesë edhe e formacionit. Madje, edhe çdo tifoz në tribunë, sepse pa ndihmën e këtyre elementëve, nuk mund të arrihet diçka. Nuk dua që lojtari që vjen, pra që është pjesë e listës, të mendojë  që është edhe pjesë e formacionit. Nëse s’japin maksimumin të gjithë, dhe ai që është në fushë, dhe ai që është në stol e tifozët në shkallët e stadiumit ne nuk mund të arrijmë asgjë. Këta e ka treguar ekipi kombëtar A. Të gjithë bashkë dhamë maksimumin për të arritur diçka. Këtë do të mundohemi ta bëjmë edhe te kombëtarja U-21.

Jeni i kënaqur me prurjet e deritanishme dhe çfarë synimi keni për eliminatoret?

Kemi për synim të fitojmë të dy ndeshjet me Moldavinë që kemi në Shqipëri. Të japim më të mirën. Dua që të gjithë lojtarët të japin maksimumin dhe të mos kujtojnë që ekipi Shpresa është një trampolinë për të kaluar në ekipin kombëtar A. Që ditën e parë do të këmbëngul që ai lojtar që nuk jep më të mirën, jo vetëm që nuk do të jetë pjesë e ekipit kombëtar A, por as edhe i Shpresave. Sepse shpeshherë dëgjoj lart e poshtë dua të vi me kombëtaren, apo s’dua të vi me kombëtaren. Nëse të vjen ftesa dhe vjen me kombëtaren, ka për detyrim të japë maksimumin e maksimumit. Jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje. Ta mendojnë mirë lojtarët, sepse është një strategji nga kombëtaret e vogla, pra nga U-13 që është krijuar tani e deri te ekipi kombëtar A. Nëse të vjen ftesa, duhet të japësh më të mirën, nëse s’e bën dot këtë, atëherë mos e prano ftesën, mund të bësh çfarë të duash.

Kthehemi pak mbrapa në kohë, ku keni qenë pjesë e kombëtares së madhe dhe në rolin e menaxherit. Rasti i Hysajt mund të jetë negativ, për faktin se mbrojtësi shkodran bëri një kapërcim të madh menjëherë në ekipin kombëtar pa kaluar nga U-21. Në krahun tjetër, Elvis Kabashi, sot pa asnjë kombëtare, donte të imitonte Hysajn dhe nuk pranoi të luante me Shpresat. i frikësoheni këtyre fenomeneve?

Mendoj që Hysaj ka kaluar të gjitha ekipet e moshave, si te U-19, ashtu edhe te U-21. Çdo lojtar ka objektivin që të luajë me ekipin kombëtar A, sepse ndoshta më parë u shpreha gabim. Por, duhet të japësh maksimumin këtu ku je, pastaj pajtetër që pretendon ekipin e madh.

Ke biseduar me De Biazin në lidhje me disa lojtarë që ke ftuar, pasi nga këto emra që janë të pranishëm në këtë listë, tri apo katër janë gati për ekipin A.

Ne diskutojmë gjithmonë, kemi një staf teknik. Mblidhemi me trajnerët herë pas here. De Biazi vendos cilin do të marrë ose jo. Nuk kemi pasur ndonjë problem. Shpresojmë që sa më shumë lojtarë të marrë ekipi A, aq më mirë. Por, edhe ekipi Shpresa ka nevojë për lojtarë sa më të mirë, sepse janë ndeshje kualifikuese.

Momentalisht si e shihni situatën në kombëtaren e madhe përpara një ndeshje me Italinë?

Kjo pyetje i duhet bërë De Biazit, unë flas për Moldavinë…

Pse është zgjedhur të jetë vetëm një kundërshtar, ndërsa janë dy data të lira?

Vetëm Moldavia pranoi. Në të kundërt, do të kishim mbetur pa ndeshje…

Çfarë synimi ka Bushi?

Të mund Moldavinë dhe më pas Estoninë, më pas të dal kampion me U-21…

Eshtë një moment pozitiv për skuadrat kombëtare: U-19 që fitoi turneun, femrat hap pozitiv. Eshtë ky moment që ju shtyn dhe ju të bëni sa më mirë?

Patjetër që po, më shtyn mua dhe gjithë ambientin, por edhe fëmijët e vegjël. Nëse do ta shihni, tani çdo fëmijë i vogël njeh lojtarët e kombëtares, sepse nuk kishim kaq sukses. Këto dhjetë vitet e fundit kemi shumë sukses. Kjo më shtyn akoma më shumë që të kem ambicie të arrij sa më lart. Është e vetmja gjë në vendin tonë që na kënaq dhe na jep një lloj adrenaline që s’na e jep asgjë në këtë vend, si në kampionatin shqiptar, ashtu edhe në ekipin kombëtar

Si është të stërvitësh lojtarë që stërviten në ekipe të mëdha, si Bare te Atletiko Madrid, apo të tjerë?

Mendoj se të gjithë janë të barabartë. Këtu nuk po flasim për Mesi, Nejmar apo Suarez, por ata janë njerëz të mirë që i përshtaten grupit. Që të jesh lojtar i mirë duhet të jesh edhe djalë i mirë. Kam ndihëm e gjithë stafit dhe federatës, por edhe trajnerit De Biazit. Më ndihmoj dhe i dëgjoj. Mundohem që të jap më të mirën.

Ke qenë golashënues i kombëtares dhe ndoshta mund të jetë një avantazh për të rritur breza “bomberash”, që do t’i shërbejnë ekipit kombëtar A, pasi edhe De Biazi është ankuar jo pak nga reparti i avancuar dhe mungesa e produktivitetit…

Në radhë të parë duhet të mbash prapa zero. Kjo është një ide e mirë. Pavarësisht që se pëlqeja, tani më pëlqen. i kemi parë ndeshjet që mbyllen 1-0 apo 2-0. Luan 90’ dhe shënon vetëm një gol. Duhet të sulmosh mirë. Kur ne luanim, krijonim shumë raste. Por, edhe me De Biazin kemi shënuar shumë, sulmuar shumë. Futbolli ka ardhur në nivele që duhet të mbrohesh mirë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image