Shpërthen Baloteli: Boll me gënjeshtra, kjo është një shpikje!

Mario Baloteli po kalon një formë shumë të mirë tek Olimpiku i Marsejës. Sulmuesi italian u transferua tek ekipi i ri në merkaton e janarit dhe deri tani ka shënuar 5 gola.

Marseja u mposht në “Parc des Princes” nga PSG me rezultatin 3-1, ndërsa Super Mario nuk ia doli të shënojë. Ai u zëvendësua në minutën e 65-të, ndërsa mediat franceze flasin për një skenar të veçantë.

Sipas tyre Baloteli kishte përgatitur një surprizë të hidhur për tifozët e PSG, në rast se do të shënonte. Ai kishte veshur poshtë uniformës së tij një bluzë të Markus Rashford, sulmuesit të Mançester Junajtid.

Ky i fundit eliminoi PSG nga Championsi me golin e shënuar në kohën shtesë në fitoren 1-3 dhe italiani do të festonte me anglezin në trup nëse gjente rrugën e golit, duke u tallur me kampionët e Francës.

Megjithatë, ka qenë vetë 29-vjeçari që ka mohuar çdo akuzë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Baloteli nuk e beson se nga kanë dalë këto fjalë dhe bën thirrje që ta lënë të qetë. “Kjo është një gënjeshtër! Budallallëqe, boll me shpikjet e gjërave për mua”, shkruan sulmuesi i Marsejës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *