“Show” amerikan, Tirana prek titullin

0

Gaspër Marku

Grifin Rame është heroi i Tiranës në basketboll për meshkuj, ndërsa me atë trepikësh në limitet e kohës së ndeshjes i ka dhënë fitoren bardhebluve në finalen e dytë të titullit kampion. 87-90 për Tiranën, atëherë kur ka përfunduar koha, ndërsa festa në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës është e gjitha bardheblu, sepse kryeqytetasit, të cilët kryesojnë 2-0, janë vetëm një hap larg titullit kampion, i cili u mungon prej pesë sezonesh. Vllaznia rezistoi me shumë zotësi mundet të kishte rezultat tjetër, sepse përmbysi për një çast, por duket se fati nuk ka qenë me shkodranët.

Atmosfera
Nisur nga incidentet që kishin ndodhur në finalen e Superkupës së Shqipërisë, mes Tiranës e Vllaznisë më 6 prill, atëherë policia e qarkut të Shkodrës kishte marrë masa për mbarëvajtjen e këtij takimi. Një angazhim prej 150 forcash, jo vetëm të rendit, por dhe të ndërhyrjes së shpejtë, ndërsa kanë qenë mbi pesë furgona, kanë mbajtur qetësinë edhe atëherë kur krijoheshin tensione. Madje Tirana jo vetëm në vajtje, por dhe në kthim nga Laçi në Shkodër e më tej është shoqëruar me polici. E megjithatë mbyllja ka qenë Fair-Play i vërtetë, sepse të gjithë i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit, ndërsa edhe tifozët kanë duartrokitur lojën që ishte niveli më i lartë i basketbollit shqiptar.

Tensionet
Përgjatë periodës së parë të ndeshjes bankina e Tiranës është ankuar për goditje me objekte, aq sa ankesat kanë shkuar dhe tek gjyqtarët. Madje në një moment të dytë të ndeshjes, po në periodën e parë, gjyqtarët Cici, Koçi dhe Hoxhaj kanë ndërprerë lojën duke i kërkuar policisë për marrjen e masave. Me megafon u është kërkuar shikuesve më tepër qetësi, sepse ndryshe ndeshja nuk do të vazhdonte më. Por mes tifozëve dhe policisë ka pasur përplasje për hedhjen e sendeve në fushë, aq sa disa prej tyre janë shoqëruar dhe në komisariat.

Ndeshja
Griffin Rame ka bërë ndeshjen e tij më të mirë, ndërsa ka shpërthyer që në periodën e parë, teksa ka shënuar pesëmbëdhjetë pikë dhe Tirana nis të shkëputet në pikë. Shima e Hysenagolli, por dhe Karaj e Hysa janë bashkë me të e bardheblutë kanë fituar periodën e parë 33-22. Vllaznia shkundet. Sharin ka lëvizur nga bankina, ndërsa aktivizohen dhe Bërdica, Ndoja, Hamati. Vllaznia fiton periodën e dytë 23-22 dhe Tirana kryeson 45-55. Vllaznia luan mirë në periodën e tretë, fiton përsëri 21-17 dhe Tirana është vetëm në gjashtë pikë avantazh, 66-72. E katërta është më e këndëshme. Vllaznia ka dalë për herë të parë në avantazh 86-85. Shënon Shima dhe 86-87 për Tiranën. Frilov ka pasur të drejtën e dy gjuajtjeve të lira, por shënon vetëm një dhe shtatë sekonda nga fundi loja është barazim 87-87. Milatoviç merr pushimin e tretë dhe ndërton aksionin e fitores, që vjen nga duart e amerikanit Griffin Rame me atë mrekulli në trepikësh. 87-90, kurse Vllaznia duket se e ka dhuruar këtë fitore, ndërsa është treguar amatore në administrimin e avantazhit. Përfundimisht, Tirana është vetëm një hap larg titullit kampion.

Vllaznia – Tirana 87-90 (0-2)
(22-33, 23-22, 21-17, 21-18)
Vllaznia: Oliver (4), Gjonaj (12), Frilov (20), Xhekson (16), Palmer (17)/Hamati (5), Ndoja (2), Berdica (11) Trajner: J.Sharin
Tirana: Rame (26), Lasku (7), Hysenagolli (24), Shima (13), Hysa (2)/Durrsi, Strazimiri, Xhonson (9), Hasani, Karaj (9) Trajner: N.Milatoviç
Gjyqtarë: G.Cici, E.Koçi (Tiranë), E.Hoxhaj (Vlorë)

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here