Short i pamëshirshëm, Reali kundër Bajernit!

0

Është hedhur sot në mesditë shorti i çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve (11-12 prill ndeshjet e vajtjes, një javë më vonë ndeshjet e kthimit), që ka ofruar çifte shumë interesante dhe të fortë.

Kështu, Reali i Madridit kampion në fuqi do të përballet me Bajernin e Mynihut, në një finale të vërtetë, një çift i parakohshëm, që natyrisht dëshpëron tifozët e dy klubeve, që shpresonin në një short më të favorshëm. Reali e Bajerni janë ndeshur 10 herë pas fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve, me 5 kualifikime secila.

Reali i ka fituar 3 ndeshjet e fundit kundër Bajernit, duke përfshirë gjysmëfinalet e sezonin 2013/14, kur skuadra spanjolle drejtohej nga Karlo Ançeloti dhe fitoi 4-0 në Mynih, humbja më e thellë shtëpiake në historinë e kupave të Europës për Bajernin.

Reali e Bajerni janë ndeshur në total 22 herë, gjithnjë në Ligën e Kampioneve. Reali ka fituar 9 ndeshje, Bajerni 11. Madridi ka shënuar 31 gola dhe Bajerni 33.

Ndërkaq, Barcelona do të përballet me Juventusin, tjetër përballje mes dy gjigantësh që shpresojnë të fitojnë trofeun. Juventusi e Barcelona u ndeshën për herë të fundit në finalen e Ligës së Kampioneve 2015 në Berlin, me spanjollët që fituan 3-1, me gola nga Ivan Rakitiç (4), Luis Suárez (68) dhe Nejmar (90+7); Álvaro Morata (55) kishte barazuar përkohësisht për Juventusin. Ajo finale ishte përballja e shtatë në kupat e Europës mes Barcelonës e Juventusit. Barcelona ka fituar 3 herë, Juventusi 2 herë dhe janë regjistruar 2 barazime.

Në dy çiftet e tjera, Lester Siti ka peshkuar Atletikon e Madridit dhe Monako përballet me Dortmundin.

Atlétiko e Lester janë ndeshur dy herë në kupat e Europës – skuadra spanjolle është kualifikuar në të dyja rastet, në turin e parë në Kupën e Kupave 1961/62 (1-1 në Angli, 2-0 në Spanjë) dhe në turin e parë të Kupës UEFA në sezonin 1997/98 (2-1 në Madrid, 2-1 në Lester).

Monako e Dortmund nuk janë ndeshur kurrë në kompeticionet e UEFA-s.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image