“Shkurtaj iku për riaftësim por u bllokua atje”, Shehi sqaron situatën te Kukësi: Me financat merren të tjerë

Futbolli shqiptar vijon të jetë i pezulluar, duke pritur që situata e pazakontë e krijuar prej Covid-19 të shkojë drejt normalitetit sërish. Ekipet kanë ndalur stërvitjet dhe futbollistët po përpiqen të ruajnë freskinë fizike duke u stërvitur në ambientet e tyre të shtëpisë, megjithëse duket e shumë e vështirë të mbash formën në një mënyrë të tillë.

Këtë e sheh si problem edhe trajneri i Kukësit, Orges Shehi, që ka dhënë një prononcim për televizionin “Tema”. I pyetur për vështirësitë financiare, kreu i pankinës së verilindorëve ka theksuar së pari problemet që lindin nga mos stërvitja në fushën e blertë, ndërsa financat ia lë tjetërkujt në dorë. Shehi sqaron për të gjithë edhe situatën e futbollistit Shkurtaj, që ndodhet i bllokuar në Spanjë, ndërsa cek gjithashtu temën e merkatos dhe të fillimit të kampionatit.

“A kemi vështirësi financiare? Ne po ndiejme vështirësi sidomos në aspektin e fushës sepse nuk po stërvitet skuadra dhe për këtë unë mund të jem kopetent, kurse sa i përket anës financiare ka instanca të tjera që po merren dhe do e zgjidhin problemin. Sa i përket Shkurtaj, ai javën e parë ishte në Greqi në fazën e parë të riaftësimit dhe më pas udhëtoi në Spanjë ku ka familjarët e vetë. Situata u përkeqësua dhe u bllokua atje. Momentin më të parë që situata të qetësohet ai do të kthehet dhe do të jetë pjesë e ekipit. Pasi udhëtimet e Shkurtaj ishin për tu riaftësuar.

Merkato? Që të shkojmë te merkato duhet të nisim njëherë kampionatin. E që nëse nis kampionati fillon dhe jeta jo vetëm për ne po për gjithë boten. Shpresojmë që çdo gjë të normalizohet. Është situatë e papreçedentë dhe nuk kemi eksperiencë se si do veprojmë nëse rinis kampionati, qoftë edhe në verë. Kampionati normalisht do të jetë i ngjeshur nëse fillon por besoj se do kemi kohën e mjaftueshme, të paktën 3 javë, që të arrijmë formën e duhur”, ka thënë Orges Shehi./Sport Ekspres/