Shkurtaj-Idrizaj, dyshja që zgjidh hallet e Superiores

0

Merkato ka nisur, edhe pse nga 1 janari klubet do të kenë të drejtën për të regjistruar afrimet e bëra. Drejtuesit e klubeve të Superiores po mundohen t’i mbyllin sa më shpejt marrëveshjet me lojtarë që duan, sidomos ato klube që fazën do e zhvillojnë jashtë vendit.

Mes tyre janë Partizani e Kukësi, që do të zhvendosen në Turqi. Verilindorët presin për sulmin Vasil Shkurtajn, por ende nuk ka asgjë zyrtare. Presidenti Gjici është shprehur se e ka arritur marrëveshjen me Luftëtarin, por duhet bindur vetë sulmuesi.

“SportEkspres.com” ka raportuar më parë se vlonjati ka kërkuar që të marrë pagat e prapambetura nga gjirokastritët, si dhe Kukësi t’i japë paradhënie pagat deri në fund të këtij sezoni. Nga ana tjetër edhe Partizani mbetet në garë. Duhet një qendërsulmues, pasi deri më tani është përshtatur shpesh Jurgen Bardhi në atë pozicion.

Por Kukësi e Partizani duan të përforcohen edhe në mbrojtje. Një mbrojtës i djathtë është i domosdoshëm për të kuqtë. Labinot Ibrahim “laj thaj” është alternativa e vetme e Gegës. Po ashtu edhe Kukësi ka në dispozicion vetëm Edis Malikin. Zgjidhja ka një emërues të përbashkët: Hektor Idrizaj.

Ramadan Ndreu e njeh mirë vlonjatin, pasi vjet e mori në ekip te Kamza dhe tashmë dëshiron ta ketë te Kukësi, ku është edhe drejtor menaxherial. Koha në dispozicion për të dyja klubet nuk është në favor, ndaj edhe do të duhet të veprohet shpejt. Më 4 janar nisin fazën në Turqi.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.