Shkumbini në stërvitje, largohen 7 lojtarë!

Pasditen e djeshme, ekipi i Shkumbinit nën drejtimin e stafit teknik të udhëhequr nga trajneri Branica ka nisur punën në këtë përgatitore të dimrit. Me merkaton e realizuar në verë dhe me punën e zhvilluar javë pas jave, djemtë e drejtuar nga Branica nuk arritën të grumbullojnë dot më shumë se sa nëntë pikë me të cilat në fund të dhjetorit kanë pozicionuar në vendin e parafundit në klasifikim. Kjo ka bërë që stafi teknik dhe drejtues administrativ i këtij ekipi të nisë të mendojë seriozisht për forcimin e ekipit për ta larguar atë nga zona e rrezikut të rënies në një kategori më poshtë. Por, që të mendojnë për merkaton më parë drejtuesit duhet të ndajnë qartë se cilët nga lojtarët që mbyllën 2017 do të jenë sërish pjesë e ekipit për fillim 2018. Në seancën e parë stërvitore të trajnerit Branica nuk kanë qenë të pranishëm një pjesë e lojtarëve “jabanxhinj” të cilët kanë kontribuar për ekipin e Shkumbinit.

Bie në sy mungesa e disa lojtarëve që janë aktivizuar disi më shumë gjatë 12 javëve, ku sulmuesi Hasanaj ka zhvilluar 10 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola po ashtu edhe mbrojtësi Beqiri ka qenë 10 ndeshje në fushën e lojës. Bashkangjitur me ta nuk kanë qenë prezent edhe lojtarë të tjerë si: Stojku, Leka e Hasalliu apo dhe Bullari e Zhuga. I pyetur për mungesën e këtyre lojtarëve, administratori Astrit Isai shprehet se ekipi ka menduar të lërë të lirë disa nga futbollistët e pjesës së parë të sezonit.

Lulëzim Resuli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *