Shkoi për të punuar si këshilltar, Rudi Vata përfundon trajner i skuadrës në Belgjikë

Rudi Vata u bë pjesë e stafit të Mouscrone, ku nënshkroi për të mbajtur postin e këshiltarit për klubin belg. Por rrethanat kanë bërë që ish-kapiteni i Shqipërisë të ulet në stolin e ekipit mbrëmjen e sotme. Një gjë të tillë padyshim nuk e kishte menduar as vetë Vata, që është shprehur se nuk kishte ardhur në Belgjikë për të trajnuar. Ish-futbollisti ka shtuar se nuk ka vënë gjumë në sy përgjatë kësaj jave, teksa mendimet e tij shkonin për gjetur një zgjidhje se çfarë duhej të bënte me lojtarët.

“Nuk erdha këtu për të trajnuar. Nuk kam fjetur këtë javë, thjesht kam menduar çfarë të bëj me lojtarët, nuk ishte e lehtë. Lojtarët janë të gjithë profesionistë, e kanë ata në dorë që të bëjnë punën në fushë. Në Ghent ne do të jemi serioz dhe të organizuar. Kemi punuar mirë bashkarisht gjatë kësaj jave të ndërlikuar. Duhet të bëhemi të fortë në këto kohë. Grupi më ka surprizuar për mirë. Jam mësuar që të hasem me situate të vështira. Por për mua problemet përfaqësojnë vetëm 5% të kohës që i kushtoj. 95% të kohës ia dedikoj gjetjes së zgjidhjeve”, ka thënë Rudi Vata./Sport Ekspres/