Shkodranët: Shqipëria e Kosova i kanë prishur punë Vllaznisë

Shtyrja e ndeshjes me lushnjarët e ballafaqon skuadrën e Gjokës me tri sfida brenda javës. Dje, dy seanca stërvitore, sot pushim

Gaspër Marku

Zhurma dhe tymnaja që përfshiu opinionin sportiv për shtyrjen e ndeshjes Vllaznia-Lushnja, ku ndër të tjera nuk munguan edhe komentet për favorizim të Vllaznisë, nuk është pritur aspak mirë në kampin kuqeblu. Sipas shkodranëve, në vend që të ishin ata reagues dhe akuzues për problematiken e ripërsëritur rreth stadiumit “Loro Boriçi”, ku që nga shembja e tij për rikonstruksion e deri tani futbolli shkodran është dëmtuar sistematikisht, kuqebluve u duhet të presin sulmet ndaj tyre. Përpos vonesës së stërzgjatur të punimeve, që e detyruan Vllazninë të shtegtonte sa në Pukë dhe stadiume të tjera për ndeshjet e kampionatit, edhe më pas asaj iu desh të përballej përsëri me probleme të tjera. Kështu, për shkak të ngarkesës së madhe që ka pasur fusha e “Loro Boriçit” me angazhimin e dy kombëtareve të Shqipërisë dhe Kosovës, dëmtimi i barit e detyroi Vllazninë në dy vite sistematikisht të ndryshonte kalendarin e ndeshjeve brenda, duke u dëmtuar jo pak në rezultatet e saj.

LUSHNJA – Dhe duke u kthyer te rasti më i fundit, shtyrja e ndeshjes Vllaznia-Lushnja për mesjavën e ardhshme ka sjellë reagime të ndryshme, duke e konsideruar rastin në fjalë favorizim të Vllaznisë. Për këtë arsye, në klubin e futbollit e shohin me vend të risjellin në vëmendje se vendimin në fjalë FSHF-ja e ka marrë në mirëkuptimin mes dy klubeve, në rastin konkret të Vllaznisë dhe të Lushnjës. Gjithsesi, duke dashur të mos merren më me këtë temë, shtyrja e kësaj ndeshjeje bën që java e ardhshme të ketë një ngarkesë jo të vogël për ekipin kuqeblu, pasi do të zhvillojë 3 ndeshje brenda pak ditësh. Që do të thotë se nga e diela në të diel, Vllaznisë do t’i duhet të luajë tri ndeshje radhazi, duke filluar nga Teuta, për të vijuar me Lushnjën në mesjavë dhe Luftëtarin sërish në fundjavë.

TEUTA – Ndërkohë që deri të hënën në programin e teknikut Gjoka gjithçka ishte e fokusuar për ballafaqimin ndaj lushnjarëve, nga dje ka pasur ndryshim të strategjisë, duke iu përshtatur sfidës në transfertë me Teutën. Për dje kanë qenë në program dy seanca stërvitore, njëra paradite, si zakonisht në palestrën e forcës, dhe tjetra pasdite në fushën sportive të Golemit. Që të dyja janë shoqëruar me një angazhim dhe seriozitet të të gjithë futbollistëve për të bërë më të mirën. Përparësi ka marrë seanca e pasdites, gjatë së cilës trajneri Gjoka është parë të merret më shumë në punën me topin, ndërkohë që jashtë vëmendjes nuk është lënë projektimi i formacionit. Në këtë drejtim, tekniku kuqeblu është parë të merret me sektorë të veçantë, duke krijuar një ide se kush mund të jetë në planet e tij. Gjithsesi, është ende herët për të folur më qartë për këtë pikë, pasi gjithçka do të vendoset në dy ditët e fundit para ndeshjes.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *