Shkodra modest: Eurogolat? Më intereson mbijetesa e Flamurtarit

0

Elton Nika

Tetë gola në këtë kampionat dhe shumica e tyre të jashtëzakonshëm për nga mënyra e ekzekutimit. Shkodra u kthye te goli në Gjirokastër dhe Flamurtari u kthye të fitorja. Një fitore shumë e rëndësishme për objektivin e mbijetesës. Mesfushori kosovar realizoi të dielën një eurogol, duke i hapur rrugën fitores së skuadrës së tij në transfertë. Ndaj Luftëtarit është i treti gol i realizuar prej tij, që të tre spektakolarë. Vështirë të dallosh kush është më i bukuri, por mesfushori kosovar shprehet me modesti se janë thjesht gola, që në fund duhet t’i shërbejnë skuadrës. Në një intervistë për “Sport Ekspres” Donjet Shkodra flet për ekipin, golat dhe të ardhmen:

– Donjet, një fitore me shumë vlera në Gjirokastër…

– Po, në fakt në transfertë do të ishim të kënaqur edhe me një pikë, por, në situatën ku ndodheshim, kemi marrë një fitore shumë të rëndësishme. Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë ndaj  një kundërshtari, që e vlerësoj maksimalisht për atë çfarë ka bërë gjatë këtij kampionati. Na duhej fitorja dhe ia kemi arritur ta marrim. Për këtë meritë ka i gjithë ekipi, që ka luftuar deri në frymën e fundit, duke gjetur forca, edhe pse u gjend në disavantazh.

– Ju i hapët rrugën fitores së Flamurtarit me atë eurogol, duke barazuar rezultatin. Si ndiheni për këtë fakt?

— Ishim në disavantazh dhe e kishim shumë të vështirë të gjenim hapësira në mbrojtjen e Luftëtarit. Nuk po arrinim të krijonim raste dhe në atë moment nuk u mendova dy herë, por godita dhe fatmirësisht shënova. Më pas ishim më të qetë në lojë dhe gjetëm edhe golin e fitores me kapitenin Telushi.

– Në fillim të ndeshjes goditët edhe shtyllën…

– Më vjen keq, që nuk shkoi gol, pasi loja merrte tjetër rrjedhë dhe do të luanim ndryshe. Ishte një tjetër gjuajtje nga larg, por topi u përplas në shtyllë dhe doli jashtë. Po të shënonim të parët, do të komandonim ne dhe fitoren mund ta siguronim më shpejt. Gjithsesi, e arritëm atë që donim dhe kjo është e rëndësishme.

– Tetë gola për ju në këtë kampionat. A kishit menduar?

– Më vjen mirë për golat dhe faktin se i kanë vlejtur skuadrës. Jam mesfushor, por më pëlqen të shënoj sa më shumë. Jam i kënaqur, por në një pjesë të ndeshjeve ka munguar për shkak dëmtimi. Më vjen keq, që kam munguar për të dhënë kontributin tim për Flamurtarin.

– Të gjithë gola spektakolarë, nga distanca. Ku qëndron sekreti?

– Më pëlqen të godas nga larg, ky është specialiteti im. Gjithmonë kam goditur nga larg, sepse, sapo shoh hapësirë, kërkoj portën. Jo gjithmonë kam realizuar, por do të vazhdoj të godas nga larg dhe të shënoj.

— Vetëm ndaj Luftëtarit 3 gola mjaft të bukur. Sikur ju ecën me këtë ekip…

– Nuk është se Luftëtari është skuadra ime e preferuar, por kështu ka ndodhur. Shënova 2 herë në fitoren 5-0, por më i rëndësishëm ishte goli fundit, sepse vlejti në fitoren 2-1 në transfertë, ndaj një skuadre shumë të fortë. Luftëtarit i shkaktuam humbjen e parë në shtëpi. Ky fakt ka më shumë rëndësi se gjithçka tjetër.

– Edhe 8 javë deri në fund, ndërkohë që në ndeshjen e radhës me Vllazninë jeni i skualifikuar. Ju vjen keq?

– Kemi edhe 7 ndeshje të rëndësishme, por duhet të shohim vetëm Vllazninë në këtë moment. Një fitore përballë saj ka shumë vlera, pas fitores në Gjirokastër. Vllaznisë nuk i kemi marrë asnjë fitore dhe ka ardhur koha ta bëjmë një gjë të tillë, pavarësisht vështirësisë së ndeshjes dhe faktit që luajmë pa tifozë. Më vjen keq, që nuk do të jem, sepse kam plotësuar numrin 3 të kartonëve të verdhë. Këtë gjyqtar e kemi pasur edhe me Laçin dhe jam pak i zhgënjyer, edhe pse nuk dua të flas për gjyqtarët. Ndaj meje pati ndërhyrje shumë të rënda dhe në asnjë moment nuk pashë, që kundërshtari të ndëshkohej. Isha thjesht në një dyluftim dhe direkt mora karton të verdhë, që më kushton mungesën ndaj Vllaznisë. Më vjen keq, por skuadra di të marrë atë që duhet.

– Nëse Flamurtari qëndron në Superligë, si e shikoni të ardhmen?

– E para, rëndësi ka që Flamurtari të qëndrojë në Superligë dhe këtë e besoj plotësisht. Jam ndjerë gjithmonë mirë në Vlorë dhe është prioriteti im. Nuk është koha të mendojmë për të ardhmen, por për skuadrën dhe 7 ndeshjet e mbetura, ku duhet të marrim maksimumin.

— Keni marrë ndonjë ofertë?

– Ende jo, por e kam shprehur gjithmonë dëshirën time. Në fund do të ulemi të diskutojmë për të ardhmen. Ka kohë, pasi tani rëndësi ka vetëm Flamurtari.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image