Shkodra më i kërkuari, ka duel Partizani-Skënderbeu  

0

Donjet Shkodra iu bashkua Flamurtarit në fillim të këtij sezoni dhe me paraqitjet e tij kanë bërë që ekipet pretendente të hedhin sytë nga ai. Nëntë gola të shënuar në Superiore nuk janë pak për një mesfushor, por ajo që i ka mahnitur të gjithë ka qenë mënyra e realizimit, pasi ka realizuar gola spektakolarë, herë nga ndonjë goditje dënimi, herë duke lëshuar ndonjë “silurë” nga distanca. E shkuara e mesfushorit është në Belgjikë, aty ku ai ka luajtur nga Liga e katërt në Ligën e dytë, pa mundur të luajë në elitë. Për arsye personale preferoi të vinte në Shqipëri dhe kalimi te Flamurtari bëri që edhe në vendin tonë të njihej, ndërkohë që prej kohësh ofertat në drejtim të tij nuk kanë munguar. Pse të mos ndodhë, të mirin e duan të gjithë.

DUELI – Emri i Donjet Shkodrës është lidhur edhe më parë me Skënderbeun, klub që është i interesuar ta ketë në gjirin e saj mesfushorin nga Gjilani. Edhe vetë ai e ka menduar të ardhmen në Korçë, por kur ofertat janë të shumta duhet të mendohesh. Një tjetër skuadër që ngulmon për të përfituar shërbimet e numrit “10”-të të Flamurtarit është Partizani. Interesimin për mesfushorin e pat shprehur drejtori sportiv Edmond Haxhia që në dhjetor, kur në një intervistë të dhënë, mes të tjerash thoshte: “Bregu, Shkodra dhe Telushi janë emra që do ta përforconin shumë skuadrën për vitin e ardhshëm”. Titulli kampion kërkohet me ngulm dhe në verë të kuqtë me siguri do lëvizin për të afruar vetëm lojtarë cilësorë dhe Shkodra është një nga ata që u intereson. Në Shqipëri për mesfushorin ka një duel, pasi çuditërisht Kukësi deri më tani nuk ka shfaqur ndonjë interes për lojtarin. Për Shkodrën oferta ka edhe nga jashtë, teksa kërkohet në Maqedoni dhe në Belgjikë, por fillimisht ai pret të përfundojë sezonin me Flamurtarin dhe më pas të vendosë për të ardhmen. I qartë është fakti se lojtari është i hapur ndaj ofertave dhe ekipi që do e marrë do bëjë një goditje.

RINOVIMI – Flamurtari gjithashtu kërkon ta mbajë mesfushorin, teksa që në fillim të vitit kishte bisedime për rinovimin e kontratës, por pas dëmtimit të pësuar nuk pati më asnjë lëvizje. Me situatën aktuale te vlonjatët, ku pagat mbeten një problem, duket se Shkodra do vendosë të largohet si një pjesë e mirë e lojtarëve aktualë të Flamurtarit, pasi realisht për ta ka qenë një vit i vështirë, me problematika që përsëriten dhe mund ta shoqërojnë klubin vlonjat edhe sezonin e ardhshëm, pasi për të mbërritur te privatizimi i klubit nga kompanitë turke “Atlas&TRK” do duhen kaluar shumë pengesa.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here