Shkëndija i hedh “grepat” Rustem Hoxhës

0

Tetovarët kanë kontaktuar menaxherin e lojtarit dhe kanë shprehur interesimin e tyre për shërbimet e qendërmbrojtësit. Durrsaku do të vendosë së shpejti

Vladimir Prenga

Shkëndija e Tetovës kërkon të përforcohet në qendër të mbrojtjes dhe i ka hedhur sytë në Superiore për ta bërë diçka të tillë. Emri i Bajram Jashanicës është përmendur para disa ditësh, ndërkohë që së fundmi kanë tentuar edhe Ditmar Bicajn. Kuqezinjtë e Tetovës më parë janë interesuar edhe për Tefik Osmanin dhe Renato Malotën, por asnjë nga emrat e lartpërmendur nuk kanë veshur fanellën e skuadrës shqiptare në Maqedoni. Së fundmi një tjetër lojtar kërkohet nga Shkëndija e Tetovës, teksa mësohet se ata kanë shfaqur interes për ish-kapitenin e Teutës, qendërmbrojtësin Rustem Hoxha.

Durrsaku, i cili në korrik mbush 26 vjeç, vjen nga dy sezone mjaft të mira me “djemtë e detit” dhe kjo ka bërë që për të të ketë interesim nga disa klube. Burime të gazetës pranë lojtarit bëjnë me dije se Shkëndija e Tetovës ka shfaqur interes për të dhe është menaxheri i futbollistit ai që po merret më tratativat. Veç kësaj skuadre, ka edhe skuadra të tjera të interesuara në Superiore, ndërkohë që për momentin lojtari së bashku me përfaqësuesin e tij po studiojnë ofertat e paraqitura, në mënyrë që të ndërmarrin vendimin e duhur. Kalimi i tij te Shkëndija e Tetovës do të ishte një hap i mirë për Rustem Hoxhën, pasi do kishte mundësinë të luante në kupat e Europës. Veç kësaj, në Maqedoni ai do luftonte për titullin kampion, edhe pse kampionati atje nuk është në nivelin e Superiores. Ekipe si Vardari, Shkëndija e Rabotniçki kanë nivel të mirë dhe këtë e kanë treguar edhe në garat ndërkombëtare.

VENDIMI – Qendërmbrojtësi për 9 vite ka qenë pjesë e skuadrës së Teutës, aty ku është formuar si lojtar. Ai është shkëputur nga durrsakët vetëm për gjashtë muaj, madje edhe atëherë është huazuar te Luftëtari, për t’u rikthyer sërish në shtëpi. Më përfundimin e kontratës me Teutën, lojtari e pa të arsyeshme që të shkëputej nga “djemtë e detit”, pasi kërkon të provojë veten në një eksperiencë të re. Shkëndija  e Tetovës është njëra prej atyre skuadra që ia ka afruar diçka të tillë dhe ndoshta mund të jetë e duhura për ta “joshur” Hoxhën. Në ditët në vijim pritet që lojtari të marrë vendimin për të ardhmen, pasi tetovarët duan një përgjigje të shpejtë, për shkak se ata po përgatiten për ndeshjet në kupat e Europës.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.