Shkëmbi tregon krizën në Prizren: Klub i përçarë, por nuk dorëzohem

0

Bledi Shkëmbi e nisi karrierën si trajner nga Prizreni verën e shkuar: projekt serioz, qetësi dhe financa të garantuara. Kështu deri në janar, sepse ndryshimet në presidencë kanë futur në kaos skuadrën dhe duket se ka nisur një luftë e brendshme që po ndan Shkëmbin nga klubi, por edhe lojtarët e transferuar nga Shqipëria në Prizren.

Në emisionin “Zona Gol” në Supersport Shkëmbi ka treguar gjithçka me detaje, duke dhënë një përgjigje edhe për një deklaratë absurde të Tahir Batatinës, trajneri i Llapit, i cili ka thënë se trajnerët nga Shqipëria që kanë shkuar në Kosovë e kanë bërë vetëm për karrierë aty dhe se aty ka më të aftë se Shkëmbi, Josa apo Magani.

NDRYSHIMI MES SUPERIORES SONË DHE SUPERLIGËS SE KOSOVËS – “Ndryshimi i parë lidhet me stadiumet dhe fushat e stërvitjes. Kampionati shqiptar, përfshi trajnerët dhe futbollistët, është disa vite para kampionatit kosovar, pasi në Shqipëri ka më shumë profesionalizëm. Gjithsesi, mund të them se në Kosovë shoh një dëshirë më të madhe për t’u përmirësuar dhe shumë shpejt do të rritet shumë rivaliteti.

BATATINA – “Nuk duhet t’i japim rëndësi asaj deklarate, pasi në Kosovë janë 12 skuadra në Superligë dhe 9 janë trajnerë kosovarë e 3 shqiptarë. Nga ata 9, vetëm njëri ka shprehur këto kundërshti, ndaj nuk ia vlen t’i japim rëndësi. Si unë, ashtu edhe Josa e Magani, kemi ndjerë mbështetjen dhe ngrohtësinë e kolegëve kosovarë.

KAOSI TË LIRIA – “Verën e shkuar Mirsad Çollaku më bëri ftesë për t’u bërë pjesë e Lirisë dhe më konfirmoi se objektivi është që të ndërtohet një skuadër e fortë dhe profesioniste. E pranova me dëshirë dhe presidenti më la dorë të lirë për të bërë merkaton. Kam afruar disa lojtarë shqiptarë, por ka edhe lojtarë maqedonas, apo kosovarë, që i kam afruar unë. Para një muaji, Çollaku ka dhënë dorëheqjen dhe tani është i komanduar një president tjetër. Këto ditët e fundit kuptova edhe unë se çfarë po bëhej dhe si ishte problemi. Gjatë gjithë vitit kemi pasur probleme financiare, por ishim të qetë, sepse ish-presidenti na gjente zgjidhje vazhdimisht. Gjithsesi, pavarësisht këtyre problemeve, ne ishim të bindur të vazhdonim, bashkë me futbollistët. Me ardhjen e kryetarit të ri, shumë njerëz në klub ndryshuan qëndrim karshi meje dhe disa futbollistëve, ndërsa dëgjoja që kishte edhe pakënaqësi ndaj punës tonë. U kërkova ballafaqim, por më thanë se ishin vetëm pak të mërzitur për shkak të eliminimit nga Kupa, por pjesa tjetër ishte në rregull.

PËRÇARJA – “Me kryesinë e re, kam dëgjuar shumë fjalë të tipit ‘trajneri ka sjellë shqiptarët e tij’. A thua se ata po marrin miliona euro te Liria. Emrat shqiptarë të futbollistëve janë një luks për atë kampionat, pasi kanë shumë eksperiencë dhe nivel për të përfaqësuar skuadrën dhe unë dua t’i falënderoj që erdhën të më ndihmonin mua në këtë eksperiencë timen. Kohët e fundit pati edhe situatë të rëndomta, pasi paguheshin vetëm një pjesë e lojtarëve dhe porositeshin që të mos tregonin, se ndoshta jo të gjithë do të paguheshin. ‘Merri ti lekët, por mos u ndje, sepse të tjerëve nuk ju japim’, ishte kërkesa e tyre ndaj futbollistëve që kanë paguar.

E ARDHMJA – “Në një klub, në qoftë se kryesia, presidenti dhe trajneri, nuk shkojnë, gjithçka ka mbaruar. Unë i vura në dijeni lojtarët për situatën dhe u thashë se do të rri edhe për ndeshjen, që të mos ju lë në baltë dhe do të largohem pas ndeshjes. Më e bukura dhe ajo që më bën të ndjehem krenar, është se të gjithë futbollistët pa përjashtim, më dërguan mesazhe dhe më erdhën në shtëpi, duke më kërkuar që të mos largohem dhe të mos i lë në rrugë. Unë kam dhënë dorëheqjen, por më kthyen futbollistët dhe do të vazhdoj për futbollistët dhe për qytetin. Nëse ata duan të më shkarkojnë, le ta bëjnë pa problem, pasi unë po rri vetëm për të respektuar këmbënguljen e futbollistëve të mi, për të mos u larguar. Të hënën do të jem në Prizren, për të drejtuar stërvitjen, bashkë me lojtarët dhe do të pres se çfarë hapi do të bëjë kryesia e klubit”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.