Shkëmbi: Skënderbeu kalon Dinamon dhe hyn në histori

Bledi Shkëmbi dha mendimin e tij për sfidën e djeshme kundër Tiranës në “Selman Stërmasi”, barazuar 3-3, çka tregon se mbrojtjet kishin probleme. Trajneri i Lirisë, pranoi se skuadra e tij ishte më mirë fizikisht në pjesën e dytë, por ai tani mendjen e ka tek ndeshja e parë e kampionatit kosovar kundër Vëllaznimit. Shkëmbi foli edhe për lojtarët që ka marrë nga Superliga si dhe Skënderbeun dhe kualifikimin e mundshëm në fazën e grupeve të Europa Leagues.

-Një ndeshje miqësore që vlejti?

-Miqësoret janë për të provuar më shumë, aq më tepër që ne fillojmë kampionatin pas një jave. Kisha disa pikëpyetje tek disa lojtarë që kanë qenë të dëmtuar dhe i aktivizova në pjesën e parë për të parë se në çfarë gjendje janë. Në pjesën e dytë ndryshova diçka edhe në rreshtim dhe mendoj që me këtë fraksion loje jam shumë i kënaqur. Sidomos me dëshirën që treguan lojtarët për të shënuar apo për të fituar. Për pak mund t’ia kishim dalë, por për pak mund të kishim humbur.

-Jeni gati për sfidën e kampionatit me Vëllaznimin?

Kem edhe një javë kohë për atë takim. Jo më kot, u mundova edhe personalisht që të luanim kundër Tiranës. Për mua, edhe pse do të jetë në të Parën, Tirana ka një ekip shumë të fortë. Mendoj që kjo ishte një provë e vërtetë gjenerale. Mora ato përgjigje që doja, pozitive. Nuk diskutohet që kishte edhe të tjera negative, tek pësimi i golave. Kemi edhe një javë kohë për të përmirësuar ato që nuk shkuan si duhet.

-A ka diferenca mes futbollit kosovar dhe atij shqiptar?

Ne nuk kemi luajtur ende kundër asnjë ekipi nga Kosova, me përjashtim të një sfide me një ekip që luan në Kategorinë e Parë. Patjetër që me sa kam ndjekur nga televizioni, Superiorja në Shqipëri ka një nivel më të mirë, por në Kosovë shikoj një dëshirë të madhe nga të gjithë faktorët për t’u përmirësuar.

-Ke marrë të paktën gjashtë lojtarë nga Shqipëria.

Nuk mund të them që jemi 100% të ndërthurur, edhe nga ana fizike edhe nga mënyra se luan ekipi në grup. Kam sjellë disa lojtarë nga Superiorja, që unë i njoh shumë mirë dhe mendoja se na duheshin lojtarë me eksperiencë, duke qenë se kur unë shkova në fillim, gjeta lojtarë shumë të rinj. Me një muaj e dhjetë ditë punë, them që kemi bërë mirë edhe në lidhje me ndërthurjen e grupit, por ka ende shumë vend për të bërë akoma.

-Ka objektiva madhorë Liria këtë sezon?

Në futboll nuk luhet pa objektiva. Mendoj se jemi të gatshëm për të rivalizuar fort me të fortët.

Një opinion për Skënderbeun dhe rrugën e tij Europiane?

Skënderbeu do të kualifikohet edhe me Dinamon dhe do të futet përsëri në grupe. Do të vazhdojë që të bëjë historinë. Skënderbeu i ka të gjithë gjërat e mundshme që duhet të ketë një ekip. Më kryesorja është që ka lojtarët me eksperiencë dhe me bindje që mund ta kalojnë edhe Dinamon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *