Shkëmbi: Shanse të barabarta me Kukësin, dënimi i Kamzës s’e ka cënuar garën

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi foli pas ndeshjes kundër Kukësit, e cila e mbyll në barazimin spektakolar, 2-2. Numri një i durrsakëve tha se për mënyrën sesi shkoi ndeshja, ky rezultat e kënaq. Po ashtu, Shkëmbi tha se kualifikimi është ende i hapur dhe si Kukësi, ashtu dhe Teuta kanë shanse të barabarta për t’u kualifikuar. Në fjalën e tij për “Supersport”, Shkëmbi tha:

NDESHJA – “Që të jem i sinqertë, unë mendoj se jam i kënaqur me rezultatin, për mënyrën sesi shkoi loja. Më pëlqeu reagimi i skuadrës. Pasi pësuam dy gola, krijuam shumë raste dhe mendoj se ky është rezultati i duhur për të shkuar në takimin e kthimit”.

SULMI ME DY – “Më bëhet qeji për Bushiç, që gjeti golin e parë. Si ndeshje e parë me Latif dhe Bushiç së bashku, ishte diçka pozitive. Por përsëri mendoj se kemi probleme dhe duhet të përmirësohemi më shumë”.

SIDIBE – “Për ndeshjen e sotme, ishte fat i keq i joni që Sidibe nuk ishte në gjendjen e tij maksimale. Patëm probleme, pësuam gola shumë të thjeshtë. Kundërshtari bëri aksione shumë të mira, me një takim, por pa i hequr meritë kundërshtarit, nuk duhet t’i pësonim këto gola. Lojtari si Sidibe, Osmani dhe Arapi kanë ditët e tyre “jo”, por ne funksionojmë si skuadër dhe i rikuperojmë gabimet”.

LOJTARËT ME EKSPERIENCË – “Në disa situata, vazhdoj të mendoj si një ish-futbollist. Edhe unë kam pasur momentet e mia “jo”, por unë nuk jam tradhtuar asnjëherë nga lojtarët me eksperiencë. Ndodh edhe të lojtarët ku ti ke shumë besim, të gabojnë, por janë gjëra që ndodhin. Këta futbollistë me eksperiencë e mbajnë Teutën në këto nivele dhe nuk dua të gjej fajtor për një ndeshje e për dy. Nuk jam ai lloj trajneri”.

SHANSET PËR KUALIFIKIM – “Unë mendoj se shanset janë të barabarta për të dyja skuadrat.”

PSIKOLOGJIA E SKUADRËS – “Nuk kemi kaluar një gjendje të mirë psikologjike pas dy rezultateve të fundit. Prandaj më vjen mirë që kthyem rezultatin kundër Kukësit, sidomos nga ana psikologjike. Ne u munduam të bëjmë futboll të mirë, patëm disa minuta kur nuk ishim të përqendruar dhe e pësuam. Për vazhdimësinë, ky rezultat sot na bën mirë. Duhet të stërvitemi mirë këto ditë dhe të jemi në maksimum kundër Partizanit. Kur janë ndeshjet afër, fillojmë që tani të mendojmë për ndeshjen e radhës. Duhet të pregatitemi që lojtarët të jenë në maksimumin e tyre”.

GARA NË KUPË – “Unë mendoj se nuk është cënuar gara në Kupë me dënimin e Kamzës. Është fati i Skënderbeut dhe të gjitha ekipet tjera nëse do të kishin Kamzën përballë, do të ishin me fat. Në mos gaboj, shorti i Kupës varet dhe nga rezultatet e sezonit të shkuar. Kështu që është meritë e Skënderbeut që ka qenë lart dhe i ra shorti me Kamzën”, përfundoi Shkëmbi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *