Shkëmbi nuk fshihet dhe e thotë hapur: Teuta është për titull kampion

Teuta do të luajë ditën e nesërme ndeshjen e radhës ndaj Flamurtarit në stadiumin “Elbasan Arena”. Durrsakët momentalisht e gjejnë veten në krye të tabelës, ku bashkëudhëheqin me Vllazninë, Bylisin dhe Skënderbeun me nga 12 pikë dhe këtë pozicion do të synojnë ta ruajnë edhe pas ndeshjes së nesërme, në të cilën kërkojnë fitoren.

Ndërkohë trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi ka shprehur qartë ambiciet e klubit të tij për këtë sezon. Në konferencën përpara ndeshjes me Flamurtarin, tekniku korçar shprehet se klubi durrsak do të kërkojë të rivalizojë deri në fund të kampionatit për të marrë titullin kampion. Ndërsa ka shtuar se nuk duhet të nënvlerësohet Flamurtari për shkak të formës së dobët të shfaqur deri në këtë fazë të Superiores.

“Vazhdojmë aty ku e mbyllëm vjet, pra duhet të jemi në 3 vendet e para. Këtë vit nuk duam ta fshehim kemi dëshirë për të parë akoma më lart dhe pse jo për të luftuar deri në fund për titull. Ekipi i Teutës ndër vite i ka pasur momentet më delikate në kampionat me ekipet e ashtuquajtura të dobëta”, ka thënë Shkëmbi./sport Ekspres/