Shkëmbi: Ndeshje fotokopje, Kallaku vuajti presionin e Atandës

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi analizoi humbjen 3-0 kundër Partizanit. Sipas teknikut të durrsakëve, Partizani e meritoi fitoren dhe se ushtruan shumë presion mbi lojtarët e tij, duke përmendur dhe emra konkretë si Kallaku. Në fjalën e tij për “Supersport”, Shkëmbi tha:

NDESHJA – “Duket se ishte një fotokopje e ndeshjes së parë. Pësuam një gol shumë të shpejtë. Po mundoheshim të reagonim, gabuam përsëri në një moment shpërqendrimi. Shkoi 2-0 dhe gjithçka u bë shumë e vështirë. Futbollistët tentuan, reaguan, por t’i shënosh Partizanit është shumë i vështirë”.

MUNGESA E GOLAVE – “Është e vërtetë, kur nuk shënon gol është e vështirë. Ajo që dua të them është se kemi pasur ndeshje ku kemi shënuar, por nuk e kemi ruajtur rezultatin. Nuk po gjejmë vazhdimësi, ekuilibra. Edhe fatin nuk e kemi pasur me vete. Përgjegjësia për ndeshjen e sotme është e imja, nuk diskutohet”.

SKEMAT – “Nuk do të ndryshoja asgjë, pasi unë nuk bëhem pishman. Nëse kam bërë ndonjë gjë gabim, e ndryshoj ndeshjet e ardshme. Me atë që unë pashë në lojë, kishim probleme individuale, jo skemash. U ndëshkuam nga dy goditje standarte. Duhet të zgjidhnim më mirë disa situata të caktuara”.

PËSIMI I GOLAVE – “Ka pasur ndeshje që kemi pësuar gol shumë shpejt. Ne mundohemi t’i përmirësojmë këto gjëra. Jemi në futboll dhe këtu nuk të dalin të gjitha gjërat. Mënyra sesi luajmë ne, është pak më e vështirë për mbrojtësit tanë që të qëndrojnë të përqendruar maksimalisht”.

MESFUSHA – “Unë mendoj që mesfusha bëri një ndeshje të mirë. Mendoj dhe jam i bindur se kundër Partizanit, çdo futbollist e ka të vështirë të luajë, pasi ata ushtrojnë shumë presion gjatë gjithë 90 minutave. Edhe sulmuesit tanë duhet të marrin më shumë përsipër, të gjithë si skuadër duhet të marrim më shumë përsipër. Mendoj që pas rezultatit 1-0, duhet të kalojnë pak minuta që të gjenden balancat. Kallaku vuajti presionin e Atandës, i cili e markoi një kundra një gjatë gjithë sfidës. Kjo gjë na e bëri të vështirë lojën”.

NDIKIMET – “Unë mendoj se në asnjë moment nuk duhet t’i shmangemi përgjegjësisë. Teuta ka bërë një punë të mirë nga fillimi i sezonit, deri më tani. I kemi ndryshuar të gjitha gjërat: Stafi, lojtarët, objektivat. Duke parë të gjitha këto ndryshime, them që kemi bërë shumë mirë deri në momentin ku jemi tani. Dua të falënderoj klubin për mbështetjen dhe për afrimet cilësore që ka bërë në ekip. Është e vështirë të ndryshosh fytyrën e skuadrës brenda një viti. Nga lufta për mbijetesë, tani luftojmë për titull dhe për Europë. Unë si trajner në asnjë moment nuk kam pasur presion që duhet të dalim kampionë me patjetër. Jam munduar që të jemi me këmbë në tokë, pasi nuk jemi ende gati që të bëjmë hapin gjigant drejt titullit. Zërat kanë shpërqendruar skuadrën dhe na kanë futur pak në presion”, përfundoi Shkëmbi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *