Shkëmbi: Na vjen keq për diçka, nuk mendojmë për titullin

Bledi Shkëmbi po bën mirë në sezonin e tij debutues në Superiore, por ka edhe keqardhje për ndonjë gol të pësuar. Javën e shkuar Teuta barazoi 2-2 me Skënderbeun dhe fitorja u iku nga duart në minutat shtesë.

“Na vjen keq që kundërshtarët na kanë ndëshkuar në ato pak raste që kanë patur, por sigurisht janë edhe përgjegjësitë tona si ekip, jo vetëm i mbrojtjes, në mënyrën se si i kemi administruar ndeshjet. Sidomos në ndeshjen me Skënderbeun, kur pësuam në minutat e fundit”, shprehet Shkëmbi për “Supersport”.

GOLAT E SULMUESVE – Altif Amadu është ndalur në kuotën e 9 golave, ndërkohë që edhe Tomislav Bushiç ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës me durrsakët. Shkëmbi i mirëpret golat e tyre: “Patjetër që kur nuk shënojnë sulmuesit kryesorë është një shqetësimi vogël, por për fat të mirë ne kemi arritur të shënojmë. Ndeshjen e fundit arritëm të shënonim dy gola, por kur ata të gjejnë rrjetën do të jetë më e thjeshtë për ekipin”.

OBJEKTIVI – Titulli kampion është përmendur disa herë në kampin durrsak, por korçari i pankinës së Teutës është i qartë: “Shikimi ynë nuk ka ndryshuar asnjëherë, pavarësisht shumë dëshirave të klubit, të tifozëve apo edhe të medias. Synimi ynë është të luajmë në kupat e Europës dhe këtë duam ta arrijmë sa më shpejt. Ky do të jetë objektivi ynë deri kur ta sigurojmë. Nuk kemi pse shikojmë as para, as mbrapa”.

“Do shikojmë ndeshjet tona javë pas jave dhe të bëjmë ato që kemi bërë në shumicën e kohës gjatë këtij kampionati. Pra të luajmë futboll të bukur dhe ta marrim pikët. Për këtë jam i bindur dhe kam besim që do të rikthehemi ku kemi qenë në dy fazat e para”, përfundon Shkëmbi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *