Shkëmbi: Goli na shpërfytyroi, nuk ishim më ekip!

Eliminimi nga Kupa nuk është përjetuar mirë nga trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi. Tekniku korçar nuk u kursye në kritika për lojtarët e tij në intervistën në përfundim të takimit në emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”.

NDESHJA – “Bëmë një pjesë të parë të mirë, në pjesën e dytë ishim shumë dobët. Pas pësimit të golit, luajtëm shumë dobët, u shpërfytyruam. Më vjen shumë keq, nuk dukeshim ekip. Shpresoj që kjo të jetë hera e fundit”.

ZËVENDËSIMET – “Nuk është vetëm problem rreshtimi. Mendoj që e para ishte që pas pësimit të golit, u shuan të gjithë. Humbëm shumë duele, po bënim gabime në pasimet e para. Ekipi nuk ishte gati psikologjikisht për të fituar”.

SENATORËT – “Unë mendoj që futbolli fillon me çështje individi dhe pastaj kalon në grup. Të gjithë kemi gabimet tona, nuk ishim gati psikologjikisht. Kur ndeshja shkoi 1-0, më dukej sikur lojtarët kërkonin vërshëllimën e fundit. Duhen ca individë brenda grupit që të rrisin optimizmin brenda skuadrës, të ndezin një shkëndijë”.

EUROPA – “Ne nuk jemi ajo Teutë që kemi qenë. Kjo duket qartë dhe unë nuk kam pse ta fsheh. Vuajmë shumë, pësojmë gola naivë, siç ai i sotmi. Por nuk duhet të merremi me gjëra që kanë kaluar, kemi një ndeshje kundër Laçit shumë të rëndësishme. Në përgjithësi, kemi bërë mirë, por nëse vazhdojmë kështu, do të kemi problem të arrijmë Europën”.

PROBLEMET – “Pa hequr për asnjë moment përgjegjësitë nga vetja, në ndeshjet jashtë na ndodh që pas pësimit të golit, nuk reagojmë. Duhet që disa lojtarë të luftojnë, të marrin ekipin përsipër, të ndezin diçka, të marrin ekipin përpara. Sot reaguam shumë keq, u duk shëmtuar. Pjesa e dytë ishte shumë e shëmtuar”.

RASTI I BUSHIÇ – “Në pjesën e parë i patëm mundësitë tona. Bushiç nuk shënoi një gol thuajse të sigurt dhe ndeshja mund të ishte ndryshe”, përfundoi Shkëmbi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *