Shkëmbi, 12 muajt e “Lirisë”

Gjergji Stefa

Kur Bledi Shkëmbi i tha ‘Po’ stolit të një skuadre modeste në Kosovë, Lirisë së Prizrenit,  opinioni publik mendoi: një emër kaq i madh në një klub kaq të vogël! Për më tepër, jo në kampionat shqiptar. Si ka mundësi? Shkëmbi dy ditë më parë vuri buzën në gaz. I njëjti opinion tha: Si ka mundësi që Frenk Lampard u bë trajner i Derbi Kauntit? Një jetë kapiten i Anglisë dhe Çelsit, një lojtar i madh që drejton një skuadër modeste në një ligë inferiore. “Është gjithnjë kështu, duhet të jetë kështu. Në botën e trajnimit duhet të zgjedhësh. Të bësh Zidanin apo Lampardin”. Kapiteni më i rëndësishëm dhe më i titulluar i gjithë kohërave në futbollin shqiptar e kishte marrë vendimin. Karriera si trajner do t’i ngjasonte asaj si lojtar. Nga poshtë-lart. 12 muaj në Prizren, renditja më e mirë e kësaj skuadre në dekadën e fundit, futboll cilësor, standard i ri dhe futbollistë që tani i kërkon gjithë Kosova e Shqipëria. Shkëmbit iu kujtua Guardiola. “Unë ndoshta nuk garantoj trofe, por di të them që çdo futbollist i imi ditën që iki unë vlen 30% më shumë”. Kapiteni Lirisë së Prizrenit 19 vjeç Meriton Koronica, një zbulim i Shkëmbit, e telefonoi dy ditë më parë: “prof, më duan në Prishtinë”. Artur Magani, sulmuesi i Lirisë, në të njëjtën ditë u prezantua te Feronikeli. “Të gjithë, pa përjashtim, tani vlejnë më shumë”. Sigurisht edhe ai vetë.

Qershorin e shkuar Liria e Prizrenit nuk ju ofroi vetëm rolin e trajnerit. Sipas asaj çka u tha asokohe, nuk ishte vetëm një pankinë, ishte një projekt?

Po, e vërtetë. Patëm menjëherë një ndjesi shumë pozitive. Na mjaftuan 2-3 takime për t’u kuptuar. Ata ishin në një moment delikat. Më shumë se sa rezultate sportive që mungonin prej vitesh, dëshironin një strukturë më profesioniste në klub. Presidenti Mirsad Çollaku ishte fantastik. Kuptoheshim me sy, nuk kishim nevojë të flisnim. Fillimisht u munduam shumë, derisa hartuam buxhetin, zgjodhëm lojtarët, përgatitëm stafin. Parashikuam çdo gjë deri në detaje. Që nga fazat përgatitore deri te baza materiale, ushqimi i lojtarëve, dietat përkatëse, grumbullimet. Nuk shkuam aty dhe thamë: OK, kush është skuadra dhe na thuaj objektivin? Shkuam dhe nisëm gjithçka nga zero. Nuk e kam konsideruar veten vetëm një trajner, por dhe partner.

Presidenti në daljen e tij publike tha që ky është një projekt trevjeçar. Në vitin e parë do hidheshin themelet që pas 36 muajsh pse jot ë tentohej titulli. A jemi sërish në të njëjtat kushte?

Jo, presidenti në janar u largua sepse mori postin e zëvendëspresidentit të federatës dhe nuk mund të impenjohej më në çështjet e klubit si moralisht ashtu dhe zyrtarisht. Projektet janë të lidhur ngushtë me njerëzit. Pas janarit drejtuesit e rinj nuk e patën për qëllim vijimin e këtij projekti. Donin që sezoni të mbyllej dhe të bënin atë çka ata mendonin.

Si ishte raporti me drejtuesit e rinj?

Jo i mirë. Por nuk besoj se e kishin personalisht me mua. Në përgjithësi nuk e respektuan skuadrën. Në ndeshjen e fundit nuk morëm qoftë dhe një falënderim. Festën e mbylljes së sezonit e bëmë me kushtet tona dhe me insistimin e ish-presidentit Çollaku.

Përpara se të hyjmë në aspektin teknik: Prizreni është një qytet i këndshëm dhe me siguri aty keni kaluar mirë?

Shumë. Pak a shumë si Korça. Njerëz të qetë, me shumë kulturë dhe të emancipuar. Krijova menjëherë miq të rinj që i kisha dhe do t’i kem dhe jashtë fushës. Stadiumi fillimisht nuk ekzistonte, por tani që po flasim një tribunë ka mbaruar dhe po ndërtohet edhe tribuna tjetër. Për një vit stadiumi ndoshta është gati. Tifozët janë të qetë, shumë të dhënë pas futbollit, por jo agresivë. Unë i kuptoja ata. Kishin 25 vite që nuk fitonin titullin dhe dalëngadalë besimi u kish humbur, por në asnjë moment nuk na kanë vënë as në presion dhe as në vështirësi.

 A ishin korrektë nga pikëpamja financiare?

Deri në janar po. Shiko, jetojmë në një realitet rajonal ku askush nuk thotë dot që pagesat ndodhin gjithnjë në datën e caktuar në masën 100%. Deri në janar ish-presidenti Çollaku arrinte të likuidonte gjithçka në kohën e duhur. Jo rrallë vihej dhe në vështirësi. Klubi kishte të ardhura nga sponsorë dhe komuna dhe ndonjëherë paratë vononin të vinin. Ai dinte si t’i administronte gjërat. Pas janarit me ndryshimin e kryesisë, dita e pagesave të lojtarëve ishte shqetësimi i tyre i fundit. Megjithatë, nuk duhet të flasim për financa. Çdo njeri ka një kontratë të personalizuar dhe ajo e mbron nga çfarëdo lloj problematike që mund të shfaqet.

Ju morët të paktën 10 futbollistë që ishin shqiptarë ose kosovarë dhe që kishin luajtur më parë në Superioren e Shqipërisë. A ndiheshit i paragjykuar për këtë?

Edhe nëse po, e kuptoja. Vinim në një territor lokal që ende nuk ishte hapur. Njësoj si në Shqipëri, edhe në Kosovë qarkullonin rreth 40 lojtarë cilësorë që çdo 6 muaj apo një vit ndërronin skuadra në varësi të financave apo rrethanave. Duhej hapur tregu. Nuk e pata të të thjeshtë t’i bindja lojtarët të vinin. Me të drejtë nuk e dinin ç’ndodhte. Kishin një lloj pasigurie.

Si ka qenë sezoni nga pikëpamja futbollistike?

Kampionatin e mbyllëm në vend të pestë. Sigurisht që mund dhe duhej të bënim më shumë, por tre faktorë na penalizuan të ishim të tretët, atje ku realisht unë edhe pretendoja. E para, situata në klub. Faza e tretë nuk ka qenë e mirë, sepse marrëdhënia ekip-drejtues nuk ekziston. Në fund të dy fazave të para ishim të tretët. E dyta ka qenë fati. Kemi pësuar shpesh gol në sekondat e fundit. E treta është matematika e kampionatit. Vetëm një skuadër shkon në kupat e Evropës nga kampionati dhe në përgjithësi ishte e vështirë në 4-5 javët e fundit ta motivojë skuadrën, jo vetëm timen, por dhe ekipet e tjera. Megjithatë kemi marrë 48 pikë, 11 më shumë se një vit më parë dhe 3 pozicione më të mira. Jemi të kënaqur me atë që kemi bërë.

A do vazhdoni të qëndroni në Prizren?

Jo. Vendimin për t’u larguar e mora që në shkurt pasi presidenti Çollaku u largua. Projektin e kishim ngritur bashkë. Sigurisht që nuk mund ta lija punën në mes në edicion e sipër. Drejtuesit e rinj besojnë se kanë ide të tjera për mënyrën si funksionon klubi dhe për përzgjedhjen e lojtarëve apo objektivave.

Ju qëndruat 1 sezon të tërë, diçka e rrallë në realitetin tonë. Vetëm Daja e ka bërë në Shqipëri dhe vetëm ju dhe Batatina në Kosovë. Si ka mundësi që rezistuat?

Trajnerin e mbajnë rezultatet dhe unë gjatë gjithë kohës kam drejtuar një ekip pothuaj çdo moment i tejkalonte pritshmëritë. Kam pasur një moment të vështirë me drejtuesit e rinj, por për hir të lojtarëve vendosa të qëndroj deri në fund. Ishin lojtarët ata që ma kërkuan dhe më bindën të qëndroja.

Si ishin raportet me lojtarët. Si është Shkëmbi në dhomat e zhveshjes?

Kompleks. Nuk ekziston profili koservator apo liberal, i rreptë apo jo. Çdo moment është i ndryshëm dhe situatat nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Raporti me lojtarët, shumë i mirë. Puna me ta ka qenë argëtuese. Vlera e tyre është rritur dh unë për këtë ndihem krenar. Shumë prej tyre erdhën në Prizren në një moment delikat të karrierës së tyre. Dikush donte të shpërthente, dikush tjetër e kishte si një lloj sfide për të treguar se sa vlen. Sot vlejnë të gjithë dyfish në treg dhe kontrata që po nënshkruajnë e tregojnë diçka të tillë. Kapiteni Korenica, një lojtar që gjithnjë kam besuar, pjesë e 21-vjeçarëve që ndalën Gjermaninë, firmosi në Prishtinë. Magani dhe Zeka te Feronikeli, Kaja, Vrapi e Domgjoni kanë oferta shumë të mira, Avdyli dhe Gashi gjithashtu. Gavazaj luan me Under-19 të Shqipërisë dhe e duan edhe jashtë Kosovës, ndërsa të gjithë kanë oferta edhe në Shqipëri. Kjo tregon që është bërë një punë shumë e mirë.

Nëse u hedh një sy rezultateve, Liria ishte një skuadër e fortë me ekipet e mëdha por e brishtë me të voglat?

Në fushën tonë ishim absolutë. Mos gaboj në renditjen e ndeshjeve Brenda jemi vend të parë. Me ekipet e mëdha kemi marrë fitore të bujshëm. Kemi fituar ndaj Prishtinës, Dritës, Llapit, Feronikelit, Trepçës, gjithë skuadrave me një buxhet më të larta dhe me më shumë histori. Por kampionati ka logjikën e saj. Ky grup kishte ende nevojë të luante bashkë, të forcohej psikologjikisht dhe taktikisht dhe pse jo sezonin e ardhshëm të pretendonte më shumë. Futbolli është proces. Gjithsesi ka qenë realisht kampionat i mirë.

Flasim pak për të ardhmen. Cilat janë planet tuaja?

Nuk po ngutem. Kam shumë sinjale, disa bisedime, 2-3 oferta konkrete. Besoj do më duhet 10 ditë kohë që të marr vendimet e mia.

Shqipëri, apo Kosovë?

Dhe jo vetëm. Të shohim. Për mua nuk ka rëndësi ku punon, por njerëzit me të cilët do bashkëpunoj dhe projekti që më ofrojnë.

Stafi nuk ndryshon, apo jo?

Iris Selimi, përgatitësi atletik, është kusht në punën time si trajner. Nëse nuk firmos ai, nuk firmos as unë. Është një profesionist i vërtetë.

Liria ngjante si një projekt i bukur, por tregu nuk ofron gjithnjë mundësi fillimisht kaq të pastra. Juve mund t’ju ofrohet bankina e një skuadre ku ndoshta ekipi është i bërë. A do pranonit?

Gjithçka varet nga kontesti dhe nga mënyra si shkojnë gjërat, nga klubi. Është shumë kompleks si diskutim.

Në fund thonë që hera e parë nuk harrohet?

Po, Liria do jetë gjithnjë një sezon i veçantë i karrierës sime. Ishte si një lloj gjendje e ndërmjetme nga të qenit futbollist për t’u bërë trajner. Fituam të dy, edhe Liria edhe unë. Ishte përvoja  e duhur në vendin dhe momentin e duhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *