Shkëlqeu me fanellën e Milanit këtë sezon, Gazidis e tundojnë milionat e PSG-së për Hernandez

Milani ka pasur një sezon për t’u harruar këtë sezon, ku ndryshimet e shumta në pankinë rezultuan të padobishme. Ardhja e Ibrës e ndryshoi paksa situatën te kuqezinjtë, ndërsa nëse ka një lojtar që Meriton duartrokitje është Theo Hernandez. Një mbrojtës krahu që Milanit i ka shërbyer shumë edhe në sulm, ku ka bërë atë që sulmuesit e skuadrës nuk po arrinin të bënin dot, të tundte rrjetën kundërshtare, E këtu nuk flitet vetëm për gola të zakonshëm, por për perla që ia vlen të bëhen kornizë.

Mirëpo gjigantët e PSG-së vihen tashmë mes rrugës së mbrojtësit francez dhe klubit Italian. Parisienët kanë trokitur në derën e Milanit me 50 milionë euro në duar për të joshur “djallin“ të heqë dorë nga “ëngjëlli i tyre mbrojtës” për këtë sezon. Sipas asaj që bëjnë të ditur në Itali, Gazidis po e mendon një alternativë të tillë, duke e lënë derën e hapur për PSG. MEgjithatë vendimi përfundimtar mbetet për Hernandez, që në deklaratat e tij ka shprehur dëshirën të mbetet kuqezi. E një zgjedhje e tillë do i shkonte më tepër për shtat këtij Milani, që vërtetë nuk do të mbushte arkat e saj, por do mbante në ekip një nga lojtarët më me vlerë që kanë në grupin e tyre./Halit Delibashi-Sport Ekspres/