Shkëlqeu mbrëmjen e djeshme, Xhakomo Vrioni kërkohet nga klubi italian në merkato

Xhakomo Vrioni ishte fantastik mbrëmjen e djeshme, ku realizoi dopietë në ndeshjen e play off-it kundër Carrarese. Megjithëse hyri nga stoli arriti që menjëherë të tregonte aftësitë e tij. Që pas ndërprerjes Sarri e ka bërë pjesë të ekipit të parë në seancat stërvitore, si dhe i ka siguruar një vend në listën e lojtarëve të thirrur në disa prej takimeve që bardhezinjtë kanë zhvilluar. Të gjitha këto tregojnë qartë se sulmuesi shqiptar është nga ata që premton vërtetë shumë për të ardhmen.

I është bashkuar 23-vjeçarëve të Juventusit në janar, por që tani kanë nisur edhe interesimet e para për talentin shqiptar. Sipas asaj që raporton “Itasportpress“, Palermo ka kthyer sytë nga Xhakomo Vrioni. Nuhatja e mirë e golit dhe fiziku i tij janë dy prej faktorëve që e bëjnë futbollistin të dëshiruar në merkato nga klubi italian.

Një lëvizje me huazim ndoshta mund të shihet si zgjidhje edhe nga Juventusi, që kështu do i jepte më tepër minuta në këmbë dhe eksperiencë sulmuesit shqiptar. Megjithatë mbetet të shihet çfarë do të vendoset për të ardhmen e Vrionit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *