Shkarkimi i mundshëm? Duro e thotë qartë: Do largohesha vetë, e kam në natyrë

Kukësi ka humbur me Vllazninë në rezultatin 1-2, sa i përket javës së shtatë të Superiores. Ekipi që drejtohet nga ana e Shpëtim Duros nuk ka bindur në këtë fillim të kampionatit, duke marrë 3 humbje, 3 fitore dhe 1 barazim.

Por trajneri i falet këtij kampionati dhe çudisë që po ndodhë, teksa thuajse gjysma e ekipeve po kryesojnë Superioren. Në intervistën pas ndeshjes për mediat, i pyetur në lidhje me një shkarkim të mundshëm, Duro është shprehur se do të largohej vetë nëse Kukësi do të dilte nga objektivat.

“Mënyra sesi humbëm ishte zhgënjyese. Vllaznisë nuk ia ul meritat, pasi e dija që do të rrinin vetëm mbrapa dhe na goditi dy herë. Sidomos në rastin e golit të dytë, që erdhi në momentin tonë më të mirë, kur donim përmbysjen. Nuk jemi jashtë objektivave duke parë renditjen dhe kampionati tani po fillon. Nëse Kukësi do të dalë jashtë objektivave, unë e kam vetë në natyrë dhe nuk do të lejoja me vendimin tim që të vazhdoja. Skuadra tregoj vlera kundër Vllaznisë, pavarësisht si erdhi humbja”, ka thënë Duro. /Sport Ekspres/