Shkarkimi i Lopeteguit, vetëm një lojtar i shpreh mirënjohjen

Reali i Madridit shkarkoi zyrtarisht mbrëmjen e kaluar ish-trajnerin e tyre, Hulen Lopetegui. Trajneri spanjoll erdhi në krye të madrilenëve 139 ditë më parë dhe u shndërrua në trajnerin e shkarkuar më shpejt nga presidenti Florentino Perez.

Në lidhje me shkarkimin e Lopeteguit, ka reaguar Mariano Diaz, i cili ka bërë një postim në llogarinë e tij në “Twitter”. Lojtari që u rrit tek Reali si lojtar, u detyrua të largohej vitin e kaluar në Francë, por aventura e tij zgjati vetëm një vit tek Olimpiku i Lionit. Në fund të muajit gusht, lojtari nga Republika Domenikane, u rikthye përsëri në Madrid, për shumën e 23 milionë eurove dhe mori mbi shpinë gjithashtu, numrin 7-të, që më parë e kanë pasur Raul Gonzalez e Kristiano Ronaldo.

25-vjeçari, pavarësisht se nuk është aktivizuar shumë nga ish-tekniku i Realit, Lopetegui, duket se ka një mirënjohje të madhe ndaj tij. Mariano është shprehur në postimin e tij se ndihet mirënjohës ndaj Lopeteguit, pasi ishte ai që e riktheu në shtëpi.

“Gjithmonë do të jem mirënjohës ndaj Hulen Lopeteguit, një nga personat që bëri të mundur rikthimin tim në shtëpi. I uroj më të mirat në të ardhmen. Tani duhet të luftojmë më shumë se kurrë për dalë nga kjo situatë e keqe”, përfundoi fjalët e tij sulmuesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *