Shkarkimi Bielsës, Tare dhe Inzagi: Lotito zbulon sekretet

Klaudio Lotito është një nga presidentët më karizmatikë të Serisë A. Kreu i Lacios ka zbuluar disa nga sekretet e tij, duke nisur nga ideja e çmendur për t’i ofruar Igli Tares postin e drejtorit sportiv. Biondi shqiptar ishte në fundin e karrierës dhe kishte shkuar në zyrat e presidentit për të rinovuar me dy vite të tjera. U fut si futbollist dhe doli si drejtori sportiv! Të gjithë u shokuan nga ky vendim, por Lotito kishte një nuhatje fantastike dhe besonte fort te Tare.

Ishte viti 2008. Vlonjati mori licencën dhe filloi një vit më vonë zyrtarisht detyrën që mban edhe sot. Të gjithë iu turrën Lotitos atëherë, ndërsa kritikët kanë zgjedhur heshtjen sot. Më saktë, nuk kanë se çfarë thonë, pasi flet vetë puna fantastike e drejtorit shqiptar.

Presidenti tregon edhe një detaj në lidhje me trajnerin Inzagi, ndërsa zbulon të vërtetën në lidhje me Marselo Bielsën. Akordi me trajnerin e famshëm argjentinas ishte arritur, por ai nuk i shijoi kurrë emocionet e futbollit italian.

TARE – “Shumë persona nuk e pranuan këtë zgjedhje, por ishte një zgjedhje e madhe. E kishim lënë për t’u takuar dhe për të rinovuar kontratën. Igli erdhi bashkë me agjentin e tij dhe i thashë: ‘Shiko, nuk do ta rinovoj kontratën’. ‘Si ka mundësi, ju më dhatë fjalën, nuk është korrekte dhe as serioze, u përgjigj ai. I thashë që kisha qëllim ta bëja drejtor sportiv të Lacios. ‘Si i bëhet, unë nuk kam as licencë’, ma ktheu Igli. I thashë që të mos merakosej për atë gjë dhe se kishte 30 minuta kohë për t’u menduar. U kthye pas gjysmë ore dhe më tha se e pranonte propozimin tim.”

INZAGI – “Kur u bëra president, fillova të thërras lojtarët për rinovimin e kontratave. I ra radha Simones dhe erdhi bashkë me agjentin e tij. Ju ofrova 5.3 milionë euro për 5 sezone. Agjenti u kënaq. ‘U morëm vesh, do ju jap 5.3 milionë për 5 vite?, pyeta. ‘Në vit?’, tha Simone. ‘Jo, në total, iu përgjigja unë… Pastaj ndodhi më e bukura. Ai më kërkoi që të flisnim vetëm për vetëm. Çfarë dëshiron që të bësh më vonë e pyeta dhe ai mu përgjigj se dëshironte të bëhej trajner! ‘Do të të bëj trajner të Lacios’, i thashë… ”

BIELSA – “Marselon e largova unë. Kur isha në Francë, Tare më telefononte dhe më thoshte se kishte blerë lojtarët që i pëlqejnë Bielsës, por trajneri ndërronte mendje pas tre minutash. U ktheva në Formelo dhe e morëm në telefon. Tare i fliste dhe ai përgjigjej sikur të ishte ndonjë shkencëtar. Nuk durova më dhe i mora telefonin nga dora Iglit. ‘Dëgjo mister, mori fund, ju duhet të largoheni’. Iglit nuk i mbeti pikë gjaku në fytyrë…”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *