Shiten 100 mijë bileta për rivalin e padukshëm! Gjetje origjinale e ekipit gjerman, kështu shpëtojnë falimentin

Një gjetje tërësisht origjinale vjen nga ana e ekipit të kategorisë së katërt në Gjermani, Lokomotive Leipzig. Tashmë është mëse e ditur që Koronavirusi po rrezikon edhe skuadrat që janë në elitë, ndërsa ekipe të tilla si rasti në fjalë, e kanë të pamundur që të mbijetojnë në këtë periudhë të krizës.

Për këtë arsye, Federata ka kërkuar ndihmë nga shteti me financa, ndërsa vetë klubet mendojnë edhe ndonjë zgjidhje origjinale. Kështu Lokomotive Leipzig është ndihmuar nga tifozët e saj. Ajo ka nxjerrë në treg rreth 100 mijë bileta dhe të gjitha janë shitur, për një transmetim të drejtpërdrejtë që do të bëhet nga stadiumi në 8 maj.

Çmimi i biletës ishte vetëm 1 euro, ndërkohë që tani janë grumbulluar 100 mijë euro që do të përdoren për të shpëtuar skuadrën nga falimentimi. Ndërsa tifozët që kanë blerë këto bileta, do të kenë mundësi që të shohin transmetimin e drejtpërdrejtë nga stadiumi i tyre me një surprizë të bukur, por që vetë klubi refuzon të zbulojë më tepër për momentin. /Sport Ekspres/