“Shikoni rastin e Skënderbeut”, kandidati për president i Vllaznisë: Përgjegjsinë e kam me tifozët, do kthehemi për kampion

Nga Klaudio Ndreca

Alban Xhaferi është kandidati kryesor për të marrë në drejtim Vllazninë dhe për të qenë presidenti i klubit shkodran edhe sa i përket futbollit. Sukseset e arritura me ekipin e basketbollit, kanë bërë që tifozët ta shtyjnë këtë personalitet që të marrë një tjetër përgjegjësi mbi vete.

Në ditët në vazhdim pritet edhe një takim i parë me krerët e Bashkisë, për të folur rreth procedurave për marrjen e ekipit të futbollit. Në një intervistë për “Sport Arena” te “Tv Rozafa”, Xhaferi ka treguar edhe planin e tij sesi do vazhdojë Vllaznia, nëse do të jetë në drejtimin e saj. Njëkohësisht edhe për temën e parave që qarkullojnë në futbollin tonë, ku shumë presidentë të klubeve ankohen se ka vetëm humbje, Xhaferi tregon rastin e Skënderbeut.

“Puna e bërë me basketbollin, ka bërë që tifozët të më japin indicien për të kërkuar edhe marrjen e ekipit të futbollit. Nuk ka asgjë konkrete për momentin veçse një dëshirë, ndërsa ka pasur shumë entuziazëm. Njerëzit e dinë që unë jam një sportdashës i vjetër.

Gjithçka është në kontekstin e një biznesi, e një plani. Ne kemi parasysh Skënderbeun që është zhvilluar, pavarësisht problemeve me UEFA-n që urojmë që t’i mbyllë sa më shpejtë. Po atje ku ka një plan të saktë, dëshirë dhe punë, ku ndahen përgjegjësitë, unë jam gjithmonë optimist se ka të ardhura që gjenerojnë.

Në kuadrin e një periudhë 3-5 vjeçare nëse ecet me një plan të saktë, duke ndërtuar një ekip pretendent për kampion të Superiores dhe për të shkuar në Europë, nëse i hedhim sytë nga akademia dhe nëse punojmë për pjesën e marketingut në mënyrën e duhur, duke kthyer emrat e mëdha te Vllaznisë, do të kthehemi në një shoqëri të qendrueshme.

Plani nuk është për t’u tërhequr nga basketbolli. Unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me Bashkinë e Shkodrës dhe kryetaren e Bashkisë. Do të kemi fillimisht një takim miqësor, më pas do t’ia lëmë kohës.

Borxhi i krijuar nga organet tatimore? I kam parë disa raporte vlerësimi, është e vërtet që ka një borxh dhe bilanc negativ. Por këto janë pjesë për t’u diskutuar, pasi ideja është që të jetë një fillim i ri, projekt dhe plan të ri. Atëherë unë them që brenda 3-5 vitesh me projektin tonë do të mbërrijmë atje ku duam. Shikoni edhe basketbollin, ku pas dy vitesh do të ishim për kampion. Unë përgjegjësinë më të madhe e kam me tifozët dhe arsyeja se përse jam këtu janë pikërisht ata”, tha Xhaferi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *