“Shikoni, Milani nuk i bën dot katër gola Juventusit”!  Lundra e krahason me Bylis-Tirana: Por e bëjnë bukur, jo shëmtuar si ne

Bylis-Tirana është ndeshja e aq shumë diskutuar në futbollin shqiptar dhe për të cilën është hapur hetimi në Komisionin e Etikës. Megjithatë duhet theksuar se ky sport është “dehur” në gjithë Europën duke dalë disi jashtë kontrollit për të dhënë rezultate që më parë nuk mund t’i shihnim. Përmbysje të shumta rezultatesh në ndeshje radhazi dhe gola me shumicë në ato kampionate që mbahen si “hermetike”, të cilat kanë lënë vend për dyshime nga tifozët.

I ftuar në “Syri TV” me Enkeleida Zekon ishte edhe gazetari Dritan Lundra. Një mbështetës i Tiranës, por kur flitet për të bërë analizën rreth ndeshjes me Bylisin, nuk e mendon dy herë për të dalë në përfundimin se të dyja ekipet duhet të përjashtoheshin nga Kupa. Gjithashtu Lundra ka bërë një krahasim për fitoren me përmbysje të Milanit me shifrat 4-2 ndaj Juventusit, duke e quajtur të bukur si “teatër”, që nuk lë shumë vend për t’u kuptuar.

“Ishte shumë i thjeshtë kualifikimi i Tiranës. Ndeshja e kthimit ishte e lehtë për Tiranën. Pas pandemisë, Tirana është një hap para të tjerave. Bylisi nuk mund ta përballonte dot Tiranën, sidomos në këtë periudhë normaliteti, ku ndeshjet po luhen në mes të vapës.

Është një gjë e shëmtuar. Ka lënë një shije të keqe ndeshja e parë në Ballsh. Nuk besoj se ka ardhur një dosje nga UEFA, pasi UEFA nuk ndërhyn në kampionatin ose në Kupën e Shqipërisë. UEFA bën vetëm sugjerime, jo ndërhyrje. Është diçka e shëmtuar. Ne, edhe kur i bëjmë këto gjëra, i bëjmë shëmtuar. Marrim rastin e Milanit me Juventusin. Milani nuk i bën dot katër gola Juventusit, por si e bëjnë, e bëjnë bukur. Ne e bëjmë shëmtuar. Gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin më në futbollin shqiptar.

Po të isha pjesë e Komisionit të Etikës, do t’i kisha përjashtuar të dy ekipet. S’ka lidhje Kupa me kampionatin, por nga Kupa duhet të dilnin të dy ekipet. Fajin e ka vetë Tirana që nuk di të argumentojë atë që e ka bërë vetë me dashje. Nëse vërtetohet që ka baste sportive, ai do të jetë shumë i rëndë”, tha Lundra. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *