Shifrat: Rexhinaldo me pushime, skena është për Latif Amadu

Ali Soue, shënuesi më i mirë i sezonit të shkuar, u transferua te CSKA e Sofies, ndërsa Sindrit Guri u shit te Ostende. Ndër tre shënuesit më të mirë të sezonit të shkuar ka mbetur në Superiore vetëm Rexhinaldo.

Futbollisti nga Mozambiku realizoi me Laçin 18 gola një vit më parë dhe për të kishte disa oferta të rëndësishme. Në fund zgjodhi të shkonte te Kukësi, ku është një ndër më të paguarit në ekip. E nisi mirë, teksa shënoi dy gola ndaj Torpedos në Europa League.

Deri më tani ka shënuar 5 gola, por në pesë takimit e fundit ka gjetur vetëm një herë rrugën e rrjetës. Madje dhe atë gol ia ka shënuar Luftëtarit me penallti. Në ndeshjen e fundit me Kastriotin nuk shënoi dot dhe kështu bëhen takimi i tretë radhazi që Rexhinaldo nuk gjen rrugën e rrjetës.

Këtë sezon është një tjetër lojtar që po spikat me golat e shënuar. Bëhet fjalë për Latif Amadu, i cili është bërë shpesh protagonist me rastet e humbura. Dje i shënoi dy herë Laçit dhe tanimë kryeson listën e golashënuesve.

Në pesë ndeshjet e fundit ai ka shënuar 6 gola, por duhet thënë se në tre raste ka realizuar nga pika e bardhë e penalltisë. Gjithsesi gola janë edhe ato, ndaj në Durrës i gëzohen faktit që sulmuesi i tyre po shënon rregullisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *