Shifrat e Uzunit: Laç-Zagreb, 600 mijë euro në mes

0

Myrto Uzuni ishte një nga lëvizjet më të mira të Laçit në verën e vitit 2018. Beratasi u ble nga kurbinasit për rreth 30 mijë euro, ndërkohë që Apolonia mbajti 30% të kartonit. Vetëm një sezon dhe sulmuesi anësor u shit gati 10-fish më shumë.

Paraqitjet në kampionat (10 gola) dhe më pas në kupat e Europës, bindën Lokomotivën e Zagrebit të paguajë shumën e 350 mijë eurove. Laçi dhe Apolonia përfituan financiarisht, ndërkohë që kurbinasit kanë ende 20% të kartonit. Në të ardhmen bardhezinjtë mund të arkëtojnë sërish nëse kroatët e shesin Uzunin.

Por sa vlerësohej beratasi kur ishte pjesë e bardhezinjve? Pak muaj te Laçi dhe kartoni i sulmuesit anësor vlerësohej 250 mijë euro. Pas gjysmës së parë të sezonit 400 mijë euro shkoi vlera e kartonit sipas “transfermarkt”, ndërkohë që deri para shitjes te Lokomotiva ai vlerësohej me 425 mijë euro.

Kjo shifër është dyfishuar tanimë, pasi në muajin mars janë përditësuar të dhënat dhe aktualisht kartoni i Uzunit ka kapur vlerën e 850 mijë eurove, 600 mijë euro më shumë se sa kur iu bashkua Laçit.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.