Sheta: Dinamo e ka bazën, do e shikoni vitin tjetër!

0

Mund të jetë futbollisti me moshë më të madhe në Kategorinë e Parë, por 38-vjeçari Arian Sheta nuk ndjehet inferior te skuadra e Dinamos. Edhe pse ka shumë futbollistë të rinj, mbrojtësi me përvojën e tij dhe gjendjen që ka, ka marrë edhe shiritin e kapitenit te blutë.

Me një mbështetje të fuqishme financiare, te kjo skuadër janë afruar disa futbollistë të rinj dhe premtues për të ardhmen. Për situatën te skuadra blu, Sheta tregon për SportEkspres.com se ky sezon quhet i mbyllur, por  grupi do ruhet për sezonin tjetër.

“Synimi ynë final nuk u arrit për të qenë në krye të Grupit A. Gjithsesi, ne e kemi vazhduar garën me seriozitet, edhe pse në përbërjen tonë ka një grup me futbollistë të rinj premtues. Ata do të jenë baza për skuadrën në sezonin tjetër. Te Dinamo ka një ambient shumë profesionist dhe kjo na jep më shumë motiv për një sezon të ri drejt Superiores”, u shpreh Sheta.

Mes të rinjsh mbrojtësi ndihet mirë, teksa deklaron: “Unë nuk ndjehem inferior, mosha ime është e padukshme në pjesën tjetër të skuadrës. Me këtë përbërje, unë e them me bindje se ky grup i ka bashkuar të gjitha të mirat që i duhen një skuadre. Në sezonin tjetër do shikoni një Dinamo që do rikthehet në emrin e madh të saj”.

AGRON KAJA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.