Sherri në fushë, Malota e Hila pezullohen me 5 ndeshje

0

 

 Komisioni i Disiplinës merr masat ndëshkimore për mbrojtësin e Kukësit dhe mesfushorin e Teutës

 

Acarimi i panevojshëm në ndeshjen Kukësi-Teuta mes Renato Malotës dhe Ardit Hilës i ka kushtuar shtrenjtë të dy lojtarëve. Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit i ndëshkoi të dy futbollistët me nga 5 ndeshje pezullim. Në pjesën e parë të takimit që u luajt të shtunën në “Zeqir Ymeri”, në një dyluftim mes tyre mbrojtësi i kuksianëve largon topin, teksa më pas goditi me shkelm Hilën, në një moment që ai ndodhej i shtrirë në fushë. Mesfushori u ngrit dhe e goditi Malotën me kokë dhe për këtë gjest gjyqtari i takimit, Lorenc Jemini, i ndëshkoi me karton të kuq të dy protagonistët. Tashmë të dy lojtarët do të vuajnë dhe ndëshkimin nga Disiplina, duke i prishur punë ekipeve përkatëse. Për Malotën ky kampionat ka nisur keq, pasi lezhjani ishte shkaktar i humbjes në Korçë me Skënderbeun. Gabimi i tij i dha mundësi bullgarit Hristov të shënonte dhe korçarët fituan me atë gol të vetëm. Tashmë Malota do të mungojë për pesë ndeshje, por mund të ulet ky dënim nëse do të apelohet. Gjithsesi, e sigurt është që lezhjani sot në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë me Naftëtarin do të mungojë.

Vendimet e tjera – Ndërkaq, në vendimet e tjera të Disiplinorit,  zyrtari i klubit të Vllaznisë, Ilir Dibra, është pezulluar për 8 takime për shkak të sjelljes së tij gjatë tërheqjes së ekipit për disa minuta në fundin e pjesës së dytë në përballjen me Partizanin. Tërbuni gjobitet me 300 mijë lekë të vjetër, për shkak se tifozët në sfidën me Skënderbeun hodhën fishekzjarrë në fushë.

 

 

Vendimet e Komisionit të Disiplinës

  1. Zyrtari i KF Vllaznia, Ilir Dibra, për hyrje në fushën e lojës pa lejen e gjyqtarit dhe sjellje jo sportive ndaj zyrtareve të ndeshjes, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti, bazuar në nenin 49/2.a të KDS.
  2. Lojtari i KF Kukësi, Renato Malota, për goditje me shkelm ndaj lojtarit kundërshtar, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti, bazuar në nenin 48/1.e të KDS.
  3. Lojtari i KF Teuta, Ardit Hila, për goditje me kokë ndaj lojtarit kundërshtar, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti, bazuar në nenin 48/1.e të KDS.
  4. KF Tërbuni, për hedhje të mjeteve ndezëse, dënohet me gjobë me vlere 30.000 (tridhjetëmijë) lekë, bazuar në nenet 65/1 dhe 66/1 të KDS.
  5. KF Ada Velipojë, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive, dënohet me gjobë me vlerë 15.000 (pesëmbëdhjetëmijë) lekë, bazuar në nenet 65/1 dhe 136/1.a të KDS.
  6. Mospranimin e kërkesës së presidentit të ekipit të Brians, Gjergji Filipi, për rishikimim e vendimit të Komisionit të Disiplinës Sportive.

 

Florian Behlula

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here