“Sherr” me veteranët, Dedja ikën nga Lushnja

Pas një debati dhe ofendime në stërvitje me Byzhytin, Çelën dhe Korreshin, trajneri shkodran dorëhiqet nga stoli i myzeqarëve. Pritet rikthimi i Banos

Arjan Likja

Kishte disa ditë që në Lushnjë ziente dhe dje ka plasur. Trajneri Hysen Dedja është larguar nga stoli i Lushnjës, pasi e ka të pamundur të vazhdojë të punojë më me këtë ekip. Ai ka pasur një debat fillimisht me Alban Byzhytin, i cili doli me vonesë në stërvitje, më pas situata ka kaluar në fyerje personale. Mbrojtësi i ka kërkuar trajnerit llogari pse nuk e ka aktivizuar dhe ka marrë përgjigjen se lojtarët e tjerë janë më në formë. Pak ditë më parë Byzhyti e ka akuzuar trajnerin se e paragjykon nga fakti se është nipi i ish-trajnerit Bano. Më pas, në debat janë futur edhe Gentian Çela dhe Erlind Korreshi, dy lojtarë të tjerë veteranë të Lushnjës, duke debatuar edhe ata ashpër me trajnerin Dedja. Në këtë moment, ky i fundit ka lënë stërvitjen dhe më pas ka komunikuar largimin përfundimtar nga Lushnja, pasi në këto kushte e ka të vështirë të punojë.

E PRITSHME – Ditën e hënë trajneri Hysen Dedja i kishte paraqitur kryebashkiakut Fatos Tushe dorëheqjen, që nuk u pranua dhe një ditë më pas pati një mbledhje me ekipin, ku tonet ishin të ashpra. Në fakt, ka një çështje të vjetër mes trajnerit dhe disa lojtarëve veteranë të Lushnjës, të cilët nuk kanë qenë në planet e shkodranit, por që drejtuesit e klubit i kanë mbajtur në ekip. Po ashtu, për ndeshjen me Vllaznia ka dyshime të forta për tolerim, ndaj dhe situata është ndezur më shumë dhe trajneri Dedja në takimin e fundit kas kërkuar seriozitet nga lojtarët në fushë për pjesën e mbetur të kampionatit. Por situata mbeti e nderë dhe dje solli përplasjen direkt mes tre lojtarëve lushnjarë dhe trajnerit Dedja, i cili shkurt është shprehur: “E kam mbyllur me Lushnjën, kam dhënë dorëheqjen, pasi nuk mund të punojë në kushte të tilla, ku lojtarët nuk respektojnë autoritetin e trajnerit”. Një fjali që lë të kuptohet se Dedja ishte i padëshiruar te Lushnja, edhe pse kuptohet që jo nga të gjithë lojtarët.

ABSURDI I DREJTUESVE – Ajo që habit në gjithë këtë situatë ka të bëjë me një lloj indiferentizmi të drejtuesve më të lartë të klubit. Këta të fundit fillimisht i bënë bllokadën e parë trajnerit Dedja, kur ai nuk kishte në listë lojtarët e përmendur më sipër, duke gjykuar se nuk kanë më çfarë t’i japin Lushnjës. Edhe në takimin e fundit drejtuesit e Lushnjës u munduan t’i zbusnin gjakrat, ndërsa dje nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim zyrtar në lidhje me atë që ka ndodhur, duke pranuar në heshtje dhe në mënyrë krejtësisht absurde largimin e trajnerit për të mos u prishur qejfin lojtarëve veteranë.

BANO DREJT RIKTHIMIT – Rruga ku është futur tashmë Lushnja të çon në rikthimin e ish-trajnerit Artan Bano, i cili ka qenë në krye të skuadrës vitet e fundit. Madje, që në momentin e largimit të tij, pas humbjes me Laçin, futbollistët këmbëngulën që Bano të qëndronte, sepse nuk ishte faji i tij. Nuk ka ende ndonjë konfirmim zyrtar, por gjasat janë të mëdha që në stolin lushnjar të ulet sërish Bano.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *