Sherr Josa-Taku, ja debati që çoi te pezullimi i mesfushorit

0

Sherr në dhomat e zhveshjes së Tiranës mes Mirel Josës dhe Afrim Takut. Trajneri dhe lojtari përplasen për një zëvendësim dhe futbollisti përjashohet përfundimisht nga ekipi që drejtohet nga Mirel Josa. Fjalë të rënda të hënën para stërvitjes së Tiranës. Kur dukej se në kampin bardheblu, situata po rregullohej, vijnë “vetëtimat në qiellin e hapur”. Një sherr mes Josës e Takut prish qetësinë bardheblu. Mirel Josa pezullon përfundimisht Afrim Takun pas një përplasje në dhomat e zhveshjes në analizën e fillimjavës. Gjithçka ka ndodhur në para stërvitjes së djeshme, mes trajnerit dhe lojtarit, duke bërë që një debat të degradojë në vendime “të mëdha”, si largimi i Takut nga ekipi sa Mirel Josa të jetë trajner i badhebluve.

Ngjarja – Në analizën e zakonshme pas ndeshjes, që zhvillohet si zakonisht nga Josa të hënën, mes tij dhe Afrim Takut gjërat janë përkeqësuar dhe strumbullari është zëvendësimi në minutën e 89-të i lojtarit në takimin me Skënderbeun. Trajneri Mirel Josa si zakonisht ka zhvilluar analizën pas Skënderbeut dhe para Luftëtarit dhe më pas qetësisht ka kërkuar nga cilido lojtar nëse ka diçka për të thënë, ta thoshte në sy të gjithë ekipit. Në këtë moment është ngritur Afrim Taku dhe i ka kërkuar llogari trajnerit se përse është zëvendësuar nga Josa në fund të lojës pikërisht në minutën e 89-të. Një kërkesë e Takut që ka habitur të gjithë, por ka çmendur Josën, i shtangur nga kjo kërkesë. Por Josa nuk e ka pranuar këtë sjellje të Takut. Kjo kërkesë e lojtarit ka sjellë edhe një përplasje mes tij dhe futbollistit. Debati ka qenë aq i fortë sa është dashur ndërhyrja e Egbosë për të ndalur trajnerin Mirel Josa, vetëm që situata të mos agravonte edhe më shumë. Josa ka deklaruar në sy të të gjithëve se sa të jetë ai, Taku nuk do të jetë pjesë e skuadrës, por para se të bënte një deklaratë të tillë, ka kërkuar që ai dhe lojtari të shkonin të sqaroheshin në sy të presidentit Refik Halili. Lojtari ka refuzuar ofertën e Josës, duke thënë se ai i ka kërkuar presidencës letrat, sepse kërkon të largohet nga skuadra. Josa pas kësaj përplasje ka “vendosur” edhe largimin e lojtarit anësor nga ekipi. Taku ka marrë makinën dhe është larguar, duke mos dalë në stërvitje.
Mirel Josa – Ka qenë një moment jo i mirë në ekipin bardheblu, pas ngjarjes së djeshme në “Skënder Halili”. Trajneri Mirel Josa është parë jo pak i shqetësuar. Në fillim ka kryer hyrje-dalje dhe më pas është futur përfundimisht në dhomat e zhveshjeve të “Skënder Halilit”. Trajneri është parë i trazuar për atë që ka ndodhur para nisjes së stërvitjes. Mësohet se trajneri do të diskutojë në ditët në vazhdim me presidencën dhe më pas do të merret një vendim përfundimtar për futbollistin.
Përplasjet – Nuk është hera e parë që mes trajnerit Mirel Josa dhe lojtarit Afrim Taku ka pasur debate. Gjatë gjithë kohës, Josa e ka kritikuar lojtarin për egoizëm. Pra përplasja Josa-Taku e ka zanafillën më parë dhe e djeshmja ka qenë vetëm maja e Ajsbergut. Lojtari pritet të ndëshkohet nga drejtuesit bardheblu, pasi asnjëherë lojtarët nuk falen në të tilla rastesh. Për më tepër që Josa nuk i fal të padisiplinuarit. Një situatë që duket si e stisur, pasi vjen kur gjithçka po shkonte shumë mirë. Edhe me trajnerin Ilir Daja, Taku ka pasur një situatë të ngjashme. Edhe pse nuk është shkruar në media, Taku ka refuzuar në një stërvitje të ndërrojë ekip e për të luajtur me rezervat. Thuhet se ka pasur një debat me Ilir Dajën, por në fund gjërat janë mbyllur pa zhurmë.

SKEDA
Emri: Afrim Taku
Shtetësia: Shqiptare
Datëlindja: 4 gusht 1989
Vjeç:27
Vendlindja: Tiranë
Pozicioni: Mesfushor:
Klubet ku ka luajtur: Tirana 2011-
Ndeshje: 178
Minuta: 15195
Gola: 20

Debati Josa-Taku
Pas analizës së barazimit me Skënderbeun, trajneri Mirel Josa u ka kërkuar lojtarëve të diskutonin, nëse dikush kishte diçka për të thënë. I vetmi që kishte diçka për të thënë ishte Afrim Taku, i cili ka kërkuar shpjegime për zëvendësimin në ndeshjen e fundit. Mes të dyve ka vazhduar më pas ky debat:
Taku: Pse më zëvendësove mua me Skënderbeun?
Josa: Si the?
Taku: Pse u zëvendësova?
Josa: Pse kush je ti, i pazëvendësueshëm? Kush zëvendësohet, e vendos unë, që jam trajner…
Taku: Po, i pazëvendësueshëm jam.
Josa: Dil jashtë dhe mos shkel më këtu, sa të jem unë!
Taku: Mos më kritiko mua profesor, se ju bën qejfin të tjerëve…
Josa: Mos të të shoh më këtu!
Debati vazhdon dhe në një moment të caktuar trajneri Mirel Josa nervozohet shumë, por aty ndërhyn Egbo. Më pas trajneri i kërkon lojtarit të shkojnë të dy të takojnë presidentin Refik Halili, por Taku i thotë se kishte qenë më parë te presidenti i ekipit, të cilit i kishte kërkuar tërheqjen e dokumentacionit. Kuptohet që aventura e Takut te Tirana ka përfunduar, të paktën me Mirel Josën trajner.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.