Sherifi përforcohet para Kukësit, por humbet edhe portierin titullar

Kundërshtari i Kukësit në Champions, Sherif i Tiraspolit, ka pësuar shumë ndryshime në organikë, ku një pjesë jo e vogël e lojtarëve që mbyllën sezonin janë larguar, mes të cilëve dhe ylli i skuadrës, sulmuesi Rikardinjo. Sikur të mos mjaftonin lojtarët e larguar, me të gjitha repartet që janë gjymtuar, dje Sherifi ka humbur edhe portierin titullar të sezonit të fundit.

Aleksei Koshelev, portier 23 vjeç i kombëtares moldave, ka lënë Sherifin, ku luante prej 2 vitesh, duke u transferuar te rumunët e Poli Iashit, që si rastësisht po e zhvillojnë fazën përgatitore pikërisht në Tiraspol dhe kanë mbyllur gjithçka me shpejtësi me Koshelevin, i cili është testuar në miqësoren e fundit, ashtu si portieri kroat Kelava, përforcim tjetër i klubit rumun.

Megjithatë, Sherifi nuk po qëndron duarkryq, sepse ka nisur fushatën e përforcimeve.

Përmes sajtit zyrtar, moldavët kanë zyrtarizuar afrimin e mesfushorit holandez, Zheremi de Nujer, me parametër zero. 25-vjeçari nga Kurasao është aktivizuar tek Levski i Sofjes në sezonin e fundit, duke qenë një titullar i rëndësishëm. Më herët Sherifi zyrtarizoi mesfushorin e kombëtares moldave George Anton, marrë nga Zimbru me kosto zero, ashtu si mbrojtësi i kombëtares Petru Raku, marrë nga Milsami.

 

Afrimet e Sherif Tiraspol

Petru Raku (mbrojtës, Milsami, kombëtarja moldave)

Zheremi de Nujer (mesfushor, Levski, kombëtarja e Kurasaos)

George Anton (mesfushor, Zimbru, kombëtarja moldave)

Vadim Paireli (Mesfushor, fund huazimi, Dugopolje, divizioni 2 Kroaci)

 

Titullarët e larguar nga Sherif Tiraspol

Aleksei Koshelev (portier, 22 ndeshje, Poli Iashi)

Vujadin Saviç (mbrojtës 16 ndeshje, Crvena Zvezda)

Rikardinjo (sulmues, 27 ndeshje/15 gola, Crvena Zvezda)

Uilfrid Balima (mesfushor, 23 ndeshje, i lirë)

Kalifa Xhabie (mesfushor, 20 ndeshje, i lirë)

Radu Ginsari (anësor ofensiv, 23 ndeshje/4 gola, i lirë)

Seidu Jahaja (mesfushor, 19 ndeshje, i lirë)

Eugeniu Rebenja (sulmues, 17 ndeshje/4 gola, huazim te Speranca, Moldavi)

Zoran Kvrzhiç (mesfushor, 26 ndeshje/5 gola, Rijeka, fund huazimi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *