Shënuesi i shekullit në Angli, emrat e mëdhenj përulen përpara “diletantit”

Viti 2018 është drejt fundit dhe thuajse në çdo kampionat po bëhen bilancet dhe statistikat. Nga Anglia, ka bërë përshtypje një statistikë, që në vend të parë ka një lojtar që ndoshta shumë pak sportdashës e njohin, për të mos thënë askush.

Billi Sharp është sulmuesi kryesor i Shefilld Junajtid në Championship, liga e dytë angleze për nga rëndësia. Anglezi, është lojtari që ka shënuar më shumë gola në Angli, që nga janari i vitit 2000, ose më saktë në këtë shekull, duke lënë pas emra të mëdhenj, që kanë bërë epokë në Premier Ligë, siç është dhe Uejn Runi.

32-vjeçari, i cili thuajse të gjithë karrierën e tij e ka kaluar mes Championship dhe League One (liga e dytë dhe e tretë angleze për nga rëndësia), ka shënuar plot 219 gola në 495 takime të luajtura. Një rekord fantastik ky nga anglezi, i cili këtë sezon numëron 15 gola në 23 ndeshje me ekipin e tij, duke e ndihmuar në luftën për t’u ngjitur në Premier Ligë.

Në vendin e dytë renditet, Riki Lambert, i cili ka luajtur me Sauthemptonin dhe Liverpulin për pak kohë. Gjithashtu dhe Lambert numëron 219 gola, por ka luajtur 605 takime, 110 më shumë se Sharp. Podiumi plotësohet nga Uejn Runi, legjenda e Junajtid, i cili ka shënuar 208 gola në 491 paraqitje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *