Shënojnë pa nisur mirë ndeshja kundër Ukrainës, Shqipëria U-17 merr fitoren e dytë radhazi

Shqipëria U-17 ka arritur që të sigurojë edhe fitoren e dytë në po aq ndeshje në turneun “Mercedes Benz Aegean Cup” që po zhvillohet në Turqi. Në të kundërt nga ndeshja e parë, këtë herë nuk është dashur shumë kohë për të tundur rrjetën kundërshtare, teksa që në minutën e parë ishte sulmuesi Neziri ai që shënoi në portën e Ukrainës.

Ndëshja përfundoi në shifrat 1-0 për kuqezinjtë e udhëhequr nga Beqiri, të cilët edhe këtë herë dominuan kundërshtarin. Formacioni i hedhur në lojë kishte ndryshime krahasuar me atë në ndeshjen e shkuar, në mënyrë që të provohen edhe lojtarë të tjerë. Pas këtyre dy fitoreve, me Maqedoninë e Veriut fillimisht dhe me Ukrainën ditën e sotme, 17-vjeçarët e Shqipërisë kanë grumbulluar 6 pikë, po aq sa kundërshtari i radhës, Koreja e Jugut./Sport Ekspres/