Shenjë e mirë nga Italia/ “Bëni pashkët dhe hajdeni”, Juventusi thërret të gjithë lojtarët

Juventusi ka nisur të mendojë për rinisjen e stërvitjeve dhe ka vendosur që të ketë grupin e plotë në Torino. Lojtarët e huaj të bardhezinjve kanë lënë Italinë  menjëherë pas përfundimit të karantinës, duke u drejtuar drejt vendlindjeve të tyre. Por Juventusi u ka kërkuar futbollistëve që të rikthehen sërish në Itali, ndërsa u ka bërë me dije se mund të kalojnë pashkët së bashku me familjet e tyre dhe më pas të jenë në Torino.

Një shenjë kjo pozitive nga vendi fqinj, që duket se po mendon që tani për rikthimin në fushën e lojës. Me thërritjen e lojtarëve të huaj Anjeli i plotëson në një farë mënyre dëshirën e Lotitos. Ky i fundit ngulmonte prej kohësh që ekipet të nisnin stërvitjet, e madje ka thumbuar edhe “Zonjën e Vjetër” për faktin se i ka lejuar futbollistët e saj të largohen nga Italia. Një gjë e tillë sipas presidentit të Lazios ishte e qëllimshme në mënyrë që të shtyhej sa më tepër nisja e kampionatit dhe të kishim një Juventus kampion. Por bardhezinjtë tregojnë me këtë verpim se nuk dëshirojnë një titull në tavolinë e se janë të gatshëm të nisin sërish kampionatin sapo situate të shfaqë shenja përmirësimi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/